Prishtinë, 09 dhjetor 2025 21:50
Një rrjet i dyshuar spiunazhi në shërbim të inteligjencës ushtarake serbe del në pah pas ngritjes së aktakuzës ndaj Jovan Viçentijeviq, i cili dyshohet se për muaj – e ndoshta vite – ka operuar brenda territorit të Kosovës si agjent i rekrutuar i Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Viçentijeviq dyshohet se ka vepruar me gradën e kolonelit brenda këtij shërbimi, duke kryer veprime sistematike të mbledhjes së informatave të ndjeshme dhe dokumenteve të klasifikuara. Prokuroria pretendon se i pandehuri ka zhvilluar aktivitete të mirëfillta spiunazhi, përmes të cilave ka siguruar informacione të përdorshme në terren për nevojat operacionale të inteligjencës serbe.
Hetimet kanë zbuluar se ndër materialet e siguruara ilegalisht nga i pandehuri përfshihet një dokument konfidencial prej 66 faqesh, i përshkruar si mjet për operacione në terren. Po ashtu, Viçentijeviq akuzohet se ka vëzhguar dhe dokumentuar lëvizjet e ushtarëve amerikanë të KFOR-it, si dhe ka fotografuar bazën e Njësive Speciale të Policisë në Jasenovik, në komunën e Zubin Potokut – veprime të cilat, sipas prokurorisë, paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.
Një nga elementet më të ndjeshme të rastit lidhet me tentimin e Viçentijeviqit për të krijuar një narrativë të rreme në arenën ndërkombëtare. Ai akuzohet se ka modifikuar një dokument për ta paraqitur ekzistimin e një organizate fiktive të quajtur “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare”, duke e shoqëruar me fotografi të eprorëve të lartë të UÇK-së. Sipas Prokurorisë, ky veprim ishte një përpjekje e qëllimshme për të krijuar perceptim të rrezikut, destabilitetit dhe ekstremizmit në Kosovë.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri ka zhvilluar takime dhe vizita të rregullta në Serbi, ku dyshohet se i ka dorëzuar inteligjencës serbe informacionet dhe materialet e siguruara ilegalisht përmes aktiviteteve të spiunazhit.
Prokuroria vlerëson se këto veprime “seriozisht kanë dëmtuar rendin juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe kanë rrezikuar jetën e zyrtarëve të saj”.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc, ku të akuzuar janë Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq dhe Igor Dimoviq.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të njëjtit me mjet shpërthyes, kanë dëmtuar rëndë kanalin në Ibër-Lepenc.

Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
Raportohet për një bombë në Shkollën Fillore “Stana Baqanin” në Leshak, rasti nën hetim
Arrestohet i dyshuari për vrasjen e rëndë në Vitomiricë të Pejës
Një person humb jetën në vendin e punës në Istog
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë