Prishtinë 6 Dhjetor 2025 13:30
Kampionati Evropian U-21 në Taekwondo po afrohet dhe Kosova po përgatitet të presë një ngjarje të nivelit më të lartë sportiv në Prishtinë.
Drejtuesit e Federatës së Taekwondos, duke folur për KosovaPress, tregojnë për përmasat e këtij eventi, pritjet sportive dhe rëndësinë e madhe diplomatike, pasi në këtë kampionat marrin pjesë edhe shtete që ende nuk e njohin Kosovën, përfshirë edhe Rusinë.
Kryetari i Federatës së Taekwondos, Arsim Agushi shpjegon organizimin dhe përmasën e garës, duke theksuar pjesëmarrjen e madhe.
“Sa i përket Kampionatit Evropian U-21, i cili do të mbahet prej datës 11-14 dhjetor në Prishtinë, te Palestra “1 Tetori”, ne si federatë jemi të organizuar deri tani. Pritet pjesëmarrja e mbi 700 pjesëmarrësve me 509 atletë, duke përfshirë delegacionet dhe ekipet referuese… Për këtë event kemi caktuar Palestrën “1 Tetori”, e cila i plotëson kushtet”, ka thënë fillimisht Agushi.
Ai tha se pritjet sportive dhe synimet e Kosovës si nikoqir, duke nënvizuar se sportistët vendas janë të motivuar për medalje.
“Ne si nikoqirë e kemi edhe ekipin, sportistët tonë të cilët pretendojnë për medalje. Qëllimi ynë është ai. E kemi një përparësi që jemi nikoqirë dhe jemi vendas. Ajo është një plus për ne, por ne e kemi një medalje evropiane të vendit të dytë të Kampionatin Evropian U-21, të Bleron Ademit, i cili faktikisht ka ndikuar. Edhe të gjithë sportistët tjerë me rezultatet e tyre kanë treguar në arenat ndërkombëtare deri më tani përfaqësimin e tyre dhe rezultatet e tyre, se kemi një ekip premtues”, shtoi Agushi.
Agushi ndalet te pjesëmarrja e 38 shteteve, mes tyre edhe vende që nuk e njohin zyrtarisht Kosovën, si Rusia, duke e vlerësuar këtë si fitore të diplomacisë sportive.
“Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë që ta kemi një event kaq të madh. Edhe ne nuk e kemi pritur ndoshta që disa shtete do të marrin pjesë, por gjithmonë edhe në kontakt me Federatën Evropiane, kemi pasur kontakte ku ka ardhur dhe një delegacion i Federatës Evropiane në muajin e gusht, ka inspektuar shtetin tonë dhe kushtet tona. Edhe ata kanë ndikuar që të tregojnë se Kosova vërtet ia vlen dhe duhet të marrin pjesë. Në këtë event janë paraqitur 38 shtete, të cilët duke i përfshirë shtete të cilët nuk na kanë njohur, duke u nisur prej Rusisë, Spanjës, Ukrainës, Greqisë, Rumanisë, Qipros, Sllovakisë…Për ne pjesëmarrja e shtetit të Rusisë, domethënë, sportistëve të Rusisë, ndikon pak në diplomacinë tonë, ku tregojmë se ne si shtet jemi të hapur për të gjithë. Kosova është shtet, Kosova i mirëpret të gjithë, por qëllimi ynë është që edhe të gjithë ata të cilët vijnë këtu të lënë një imazh të mirë, të tregojmë që vërtet Kosova nuk është ashtu si propagandohet”, bëri të ditur Agushi.

Ndeshja hapëse e Botërorit, tre kartonë të kuq e dy gola
Sonte nis Kupa e Botës 2026, turneu më i madh në historinë e futbollit
Kosova fiton dhe siguron Ligën B dhe “play-off”-in e Botërorit 2027
Kosova fiton medalje në garën ballkanike të çiklizmit
Vdiq futbollisti Fatjon Bunjaku
Dy medalje bronzi për Kosovën në Ballkanikun U14, shkëlqejnë talentet e reja të xhudos
Pacolli paralajmëron gjoba deri në 5 mijë euro për ndotësit
Prokuroria Speciale mirëpret dënimin prej 6 viteve burgim ndaj ish-pjesëtarit të ISIS-it për spiunazh te BIA serbe
Ish-pjesëtari i ISIS-it dënohet për spiunazh te BIA serbe
Profesionalizmi i hetuesve kosovarë çon në zbardhjen e rrjeteve kriminale përmes Sky ECC