Prishtinë, 11 nëntor 2025 19:05
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka vazhduar stërvitjet për ndeshjet vendimtare ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës.
Kosova të shtunën nga ora 20:45 luan në udhëtim te Sllovenia, në ndeshjen e parafundit kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm. Ndërsa të martën e ardhshme e luan në Prishtinë ndeshjen e fundit kundër Zvicrës.
Nën drejtimin e selektorit Franco Foda, “Dardanët” në stadiumin “Fadil Vokrri” e kanë përfunduar të martën seancën e dytë stërvitore. Të pranishëm sërish nuk ishin të gjithë futbollistët.
Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Elvis Rexhbeçaj dhe Muharrem Jashari kishin seancë rigjeneruese në palestër.
FFK-ja ka shkruar se atmosfera ishte mjaft pozitive dhe se përkushtimi i futbollistëve ishte maksimal.
Pas paraqitjeve në ndeshjet e kaluara, sidomos me dy fitoret ndaj Suedisë, është rritur entuziazmi për kualifikim direkt të Kosovës në Botërorin 2026 që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Sipas futbollistit që luan për skuadrën Metalist 1925, në Ukrainë, Baton Zabërgja, Kosova e meriton që të jetë në Botëror.
“Jam i lumtur për rikthimin. Duhet pasur parasysh se i kemi dy ndeshje jetike për kombëtaren. Shpresoj që me seriozitet maksimal dhe me qasje të mirë do t’i kalojmë edhe këto dy ndeshje dhe të arrijmë qëllimin tonë si kombëtare. Kemi ndeshjen fillimisht me Slloveninë dhe shpresojmë që ta fitojmë të paktën një pikë edhe pse me grupin e futbollistëve që e kemi mund të shkojmë edhe për fitore. Ekipi është paraqitur në një nivel të jashtëzakonshëm në dy ndeshjet e kaluara, sidomos atë me Suedinë. Gjithë futbollistët kanë dhënë 100 për qind dhe normalisht u arrit rezultati që kemi dashur. Me këtë përbërje, me këta futbollistë, me këtë grup të lojtarëve, mund të jemi dhe e meritojmë të jemi pjesë e Botërorit”, u shpreh 24-vjeçari Zabërgja, që i mungoi Kosovës në ndeshjet e kaluara për shkak të një lëndimi.
Rezultat pozitiv nga ndeshja me Slloveninë pret edhe portieri Visar Bekaj.
28-vjeçari Bekaj shpreson që kualifikimi direkt në Botëror të vendoset në Prishtinë në ndeshjen ndaj Zvicrës.
Për këtë duhet që “Dardanët” të marrin pikë në Slloveni dhe që Zvicra mos të fitojë ndaj Suedisë.
“Të gjithë bashkëlojtarët janë në formë shumë të mirë. Atmosfera është shumë e mirë. Së pari duhet të përqendrohemi në ndeshjen e parë ndaj Sllovenisë që e kemi shumë të rëndësishme. Të dalim me rezultat pozitiv dhe nëse kemi pak fat dhe Zvicra të gabojë në ndeshjen e parë, të zhvillojmë një finale në ‘Fadil Vokrri’ do të ishte shumë më mirë. Por shpresoj që të dalim me rezultat pozitiv nga ndeshja me Slloveninë dhe pastaj tjerat do të mbeten për t’u parë”, ka thënë portieri i Hataysporit të martën për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kosova e zë vendin e dytë në Grupin B me shtatë pikë.
Zvicra udhëheq me 10 pikë. Sllovenia i ka tri e Suedia vetëm një.

Ndeshja hapëse e Botërorit, tre kartonë të kuq e dy gola
Sonte nis Kupa e Botës 2026, turneu më i madh në historinë e futbollit
Kosova fiton dhe siguron Ligën B dhe “play-off”-in e Botërorit 2027
Kosova fiton medalje në garën ballkanike të çiklizmit
Vdiq futbollisti Fatjon Bunjaku
Dy medalje bronzi për Kosovën në Ballkanikun U14, shkëlqejnë talentet e reja të xhudos
Përleshje fatale mes familjarëve në Prizren – 27-vjeçari humb jetën
Aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale ku arrestuan 5 persona të dyshuar për krime lufte (Video)
Uniforma policore serbe dhe armë gjenden gjatë bastisjeve në aksionin ku u arrestuan pesë persona, të dyshuar për krime lufte
Pesë të arrestuar në aksionin e Prokurorisë Speciale për rastin “Reçaku II”