Kllokot, 29 shtator 2025
Arbër Emini, kandidat nga Lista e Pavarur në komunën e Kllokotit, për kryetar të kësaj komune, po vazhdon të merr përkrahje jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga partitë politike që garojnë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Së fundmi, të gjitha partitë politike shqiptare, LDK, PDK, LVV, AAK, Iniciativa Shqiptare dhe Iniciative Qytetare në Kllokot, janë bërë bashkë duke tejkaluar interesat partiake, kanë vendosur njëzëri të përkrahin Eminin në garën për kryetar të komunës së Kllokotit.
Deklarata e përbashkët e përfaësuesve politikë në Kllokot, javën e kaluar:
“Ne, përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare në Komunën e Kllokotit, të bashkuar si kurrë më parë, jemi të vetëdijshëm se zgjedhjet e 12 tetorit kanë rëndësi historike për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë në Kllokot.
Sot, duke vënë interesin e qytetarëve mbi çdo interes partiak, shpallim me vendosmëri të plotë mbështetjen tonë për Arbër Emini me numër 150 – kandidatin shqiptar për kryetar të Komunës së Kllokotit.
Ky zotim është dëshmi e unitetit tonë dhe garanci se zëri i shqiptarëve do të jetë i fuqishëm, i pathyeshëm dhe i përfaqësuar denjësisht në institucionet komunale.
Ne nënshkruajmë këtë deklaratë të përbashkët, si shenjë e besimit dhe e përgjegjësisë para qytetarëve:
Perparim Rexhepi – Kryetar i LDK-së në Kllokot
Naser Shabani – Kryetar i PDK-së në Kllokot
Admirim Etemi-Kryetar i LVV-së në Kllokot
Ermal Rexhepi – Kryetar i AAK-së në Kllokot
Nijazi Fejza – Kryetar i Iniciativës Shqiptare Mogill-Kllokot
Shqiprim Rexhepi – Kryetar i Iniciativës Qytetare për Mogillën
Ky bashkim është forca jonë!
Më 12 tetor, fitorja e Arbër Eminit – 150 do të jetë fitore e gjithë shqiptarëve të Kllokotit – fitore e barazisë, e dinjitetit dhe e së ardhmes sonë të përbashkët”.
Arbër Emini ka paralajmëruar gjatë ditës së sotme se brenda pak ditësh do të publikojë një listë me emra, siç thotë ai, të shqiptarëve që po e përkrahin Listën Serbe.
Po sot, Emini ka akuzuar dy kandidatët nga komuniteti serb, Streçko Spasiç dhe Bozhidar Dejanoviç, pas të cilëve, siç është shprehur Emini, qëndron kryeterroristi Milan Radojçiq.
