Leposaviq, 22 shtator 2025
Më 12 tetor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e para lokale që nga viti 2023, kur serbët bojkotuan votimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, dhe më parë kishin braktisur institucionet e shtetit. Në këto zgjedhje janë kandiduar 12 parti dhe iniciativa serbe, dhe në veri të Kosovës garojnë 21 kandidatë serbë – ndër ta edhe përfaqësuesi i Lëvizjes “Rrënjët”, Ivan Vuçkoviq.
Ai deklaron se Lista Serbe, përmes lëvizjeve të saj të gabuara politike, e ka sjellë popullin në një pozitë të pafavorshme, për shkak të së cilës në Kosovë ka mbetur vetëm një “grusht mjerimi”.
Vuçkoviq thotë se është kandiduar për kryetar të Leposaviqit për shkak të “politikës nga nevoja” dhe për shkak të mendësisë së deritanishme njëpartiake, që është krijuar nga dominimi i një liste të vetme.
“Duhet të bëjmë diçka, çfarëdo qoftë, të jemi zëri i arsyes dhe që të dëgjohet mendimi kritik. Përndryshe, mendësia njëpartiake na ka sjellë në këtë gjendje,” thotë Vuçkoviq.
Ai mendon se mundësia për të votuar për opsione të tjera përveç Listës Serbe është thelbi i demokracisë, pluralizmit të mendimit dhe qëndrimit kritik ndaj politikës.
“Këtu është bërë normë që kushdo që mendon ndryshe, e prish unitetin. Por në fakt, vetë Lista Serbe e ka prishur atë unitet ndër vite, duke u përpjekur ta imponojë sipas masës së vet. Asnjë nga këto parti politike apo individë që janë kandiduar nuk besoj se kanë qëllime të këqija ndaj qytetarëve të Leposaviqit,” thotë ai, duke shpjeguar se gjendja e keqe e njerëzve në Kosovë është pasojë e politikës së keqmenaxhuar.
Ai shton se shumë aktorë politikë më parë janë shtyrë në margjinat, por tani kanë guxuar të dalin dhe të ndihmojnë popullin që të luftojë për një pozitë më të mirë.
“Unë i njoh të gjithë këta njerëz që janë kandiduar në Leposaviq, dhe e di që kanë të njëjtin qëllim. Ka edhe nga ata që kanë qenë pjesë e Listës Serbe, por më pas janë përplasur dhe janë distancuar – por ajo është puna e tyre. Ajo që di është se ekzistojnë disa lista dhe individë që ndër vite kanë treguar, le të themi, parime të veprimit,” shprehet i bindur Vuçkoviq.
Ai kritikon edhe Listën Serbe, të cilën e konsideron përgjegjëse për situatën e vështirë të popullatës, që sipas tij është më e rëndë se para tre vitesh, kur kjo listë doli nga institucionet.
“Lista Serbe lan duart nga gjithçka – dolën nga Kuvendi para tre vitesh, kur situata ishte e vështirë, dhe tani kur është dhjetëfish më e vështirë, kanë ende pak dinjitet për t’u ofruar diçka qytetarëve, edhe pse pikërisht ata na kanë sjellë deri këtu,” thekson ai.
Vuçkoviq thotë se nuk i kanë kushtuar rëndësi mbështetjes që kundërshtarët e tyre marrin nga Republika e Serbisë, sepse po ta bënin, nuk do të kishin guxuar të kandidojnë – pasi janë të vetëdijshëm se ata që kanë buxhetin e shtetit janë më të fortë.
