Prishtinë, 1 shtator 2026 15:59
Vdekja e Ratko Mlladiqit dhe reagimet që pasuan në Serbi e në Republikën Srpska kanë nxjerrë në pah se ideologjia që prodhoi luftërat dhe krimet e viteve ’90 nuk është zhdukur, por është përshtatur me rrethanat e reja.
Kështu vlerëson kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, e cila thotë se glorifikimi i Mlladiqit pas vdekjes së tij është dëshmi se një pjesë e shoqërisë serbe ende nuk është përballur me përgjegjësinë për luftërat në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.
Sipas saj, Mlladiqi nuk ishte arkitekti i vetëm i politikës që çoi në gjenocid dhe krime masive, por zbatuesi kryesor ushtarak i saj.
“Përgjegjësia për luftërat e viteve ’90 nuk mund të kufizohet vetëm te disa liderë ushtarakë dhe politikë që përfunduan para Tribunalit të Hagës”, ka thënë Biserko.
Ajo thekson se përgatitja për luftërat kishte nisur shumë më herët, përmes një procesi politik, ideologjik dhe propagandistik.
Sipas Biserkos, veçanërisht periudha nga fundi i viteve ’80 deri në vitin 1991 ishte vendimtare, kur mediat në Beograd krijuan një atmosferë të vazhdueshme frike, kërcënimi dhe armiqësie.
“Çnjerëzimi i ‘të tjerëve’ ishte një hap kyç në këtë proces. Fillimisht kroatët dhe shqiptarët paraqiteshin si kërcënim ekzistencial për serbët, ndërsa më pas edhe myslimanët u bënë objekt i një propagande gjithnjë e më intensive”, është shprehur ajo.
Ajo përmend edhe fushatat mediatike të zhvilluara në gazetën e Beogradit “Politika”, duke thënë se ato ishin pjesë e një procesi më të gjerë të mobilizimit të opinionit publik dhe përgatitjes së shoqërisë për konflikt.
“Mlladiqi ishte zbatuesi kryesor ushtarak”
Biserko thotë se roli i Mlladiqit në zbatimin e politikës së luftës ishte vendimtar, por përgjegjësia për këtë politikë shtrihej shumë më gjerë.
Ajo kujton se në një seancë të Kuvendit të Republikës Srpska në vitin 1992, Mlladiqi kishte paralajmëruar se realizimi i objektivave të luftës të përcaktuara nga udhëheqja serbe në Pale do të nënkuptonte gjenocid.
Sipas saj, kjo tregon se ai ishte i vetëdijshëm për natyrën dhe pasojat e politikës që po zbatohej.
Megjithatë, Biserko thotë se arkitektët e kësaj politike nuk ndodheshin vetëm në strukturat politike e ushtarake të serbëve të Bosnjës.
“Shumë prej tyre mbetën jashtë rrezes së drejtësisë dhe vazhduan të vepronin nga institucionet në Beograd – në qarqet akademike dhe kulturore, në strukturat e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe shërbimet e sigurisë, si dhe në aparatin politik dhe mediatik që krijonte bazën ideologjike për luftën”, ka deklaruar ajo.
Glorifikimi i Mlladiqit dhe “bota serbe”
Reagimet pas vdekjes së Mlladiqit, sipas Biserkos, nuk duhet parë si një fenomen i izoluar.
Ajo thotë se ato dëshmuan se ideologjia që prodhoi luftërat e viteve ’90 vazhdon të ketë mbështetje në një pjesë të shoqërisë serbe.
“Vdekja e tij vetëm e bëri të dukshme atë që kishte qenë e pranishme gjatë gjithë kohës”, është shprehur Biserko.
Në këtë kontekst, ajo e lidh konceptin e “botës serbe” me një vazhdimësi të projektit politik të viteve ’90, por me mjete të tjera.
Sipas saj, sot ndikimi i Serbisë në hapësirat ku jetojnë serbë synohet të ruhet dhe zgjerohet përmes instrumenteve diplomatike, politike, ekonomike dhe kulturore.
Biserko i referohet edhe disa dokumenteve strategjike të Serbisë, përfshirë dokumente për marrëdhëniet me diasporën, strategjinë e sigurisë kombëtare dhe “Kartën për hapësirën kulturore serbe”.
“Këto dokumente tregojnë se pushtetet ndryshojnë, por ideja e Serbisë së Madhe mbijeton”, ka thënë ajo.
Kritika ndaj Perëndimit
Biserko kritikon edhe qasjen e vendeve perëndimore ndaj Serbisë, duke thënë se për vite me radhë prioritet ka qenë stabiliteti afatshkurtër, ndërsa janë toleruar politika që, sipas saj, kanë nxitur tensione në rajon.
Ajo thotë se qeveritë perëndimore kanë mbështetur presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me pritshmërinë se Serbia gradualisht do të afrohej me Perëndimin.
Në të njëjtën kohë, sipas saj, janë toleruar promovimi i konceptit të “botës serbe”, presionet ndaj shteteve fqinje dhe armatosja e Serbisë.
Biserko e sheh si problematike edhe politikën e ashtuquajtur të “neutralitetit ushtarak” të Serbisë, duke theksuar se vendi ndërkohë ka rritur ndjeshëm kapacitetet e tij ushtarake.
Ajo paralajmëron se dobësimi i angazhimit ndërkombëtar në Ballkan mund të krijojë hapësirë për elitat nacionaliste që të promovojnë agjendat e tyre.
Në këtë kontekst, përmend Republikën Srpska, aktivitetet e mbështetësve të Milorad Dodikut dhe rolin e Serbisë në promovimin e “botës serbe”.
Kosova dhe komuniteti serb
Duke folur për Kosovën, Biserko thotë se Beogradi vazhdon ta përdorë çështjen e Kosovës për mobilizim politik të opinionit serb.
Sipas saj, komuniteti serb në Kosovë është instrumentalizuar për dekada nga Beogradi, ndërsa Lista Serbe, sipas saj, ka margjinalizuar aktorë të tjerë serbë që kanë qenë të gatshëm të dialogojnë me Prishtinën.
Ajo vlerëson se komuniteti serb sot ka kapacitete të kufizuara për të artikuluar në mënyrë të pavarur qëndrimet e tij politike.
Ndërkohë, thotë ajo, shpërngulja e serbëve nga Kosova vazhdon prej dekadash.
Biserko vlerëson se Kosova vazhdon të përdoret si instrument për mobilizimin e serbëve në Serbi dhe në Kosovë, pavarësisht ndryshimeve në qasjen politike të Beogradit.
Mali i Zi, një pikë e rëndësishme e përplasjes
Një tjetër pikë e rëndësishme e ndikimit serb, sipas Biserkos, është Mali i Zi.
Ajo thotë se Beogradi përpiqet të ruajë ndikimin politik dhe identitar në këtë shtet përmes Kishës Ortodokse Serbe, mediave, lidhjeve ekonomike dhe aktorëve politikë.
Sipas saj, anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian do ta ngushtonte hapësirën për realizimin e konceptit të “botës serbe”.
“Mali i Zi sot është një nga vendet kyçe ku kryqëzohen perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor, por edhe ambicia e Beogradit për të ruajtur ndikimin politik dhe identitar në rajon”, ka thënë ajo.
Mlladiqi si simbol i një ideologjie
Për Biserkon, mënyra se si po trajtohet figura e Mlladiqit pas vdekjes së tij ka një rëndësi më të madhe se vetë varrimi i tij.
Ajo thotë se glorifikimi i tij ndihmon në zbehjen ose relativizimin e përgjegjësisë për gjenocidin në Srebrenicë.
“Mlladiqi është glorifikuar për dekada në Serbi; portreti i tij gjendet në grafite në mbarë vendin, ndërsa biografia e tij paraqitet si pjesë e heroizmit kombëtar”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, shndërrimi i autorit të gjenocidit në hero është një mënyrë indirekte për të mohuar vetë krimin.
Ajo paralajmëron se një varrim me nderime shtetërore do të mund të shndërrohej në manifestim të ideologjisë nacionaliste.
“Mlladiqi është simbol i projektit për të cilin Serbia luftoi gjatë luftërave të viteve ’90 – zgjerimit territorial dhe krijimit të një hapësire etnikisht homogjene”, ka thënë Biserko.
“Ballkani po hyn në një fazë më të rrezikshme”
Në fund, Biserko paralajmëron se Ballkani po përballet me një periudhë të re pasigurie, në të cilën përplasen interesat e aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë.
Ajo përmend Rusinë, Kinën, Turqinë, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian si aktorë me interesa të ndryshme në rajon.
Sipas saj, BE-ja ka humbur një pjesë të autoritetit të saj për shkak të politikës së “stabilokracisë”, ndërsa Ballkani po shihet gjithnjë e më shumë nga perspektiva e sigurisë.
“Reagimet ndaj vdekjes së Mlladiqit nuk janë vetëm çështje e qëndrimit ndaj një krimineli të dënuar lufte, por simptomë e një problemi shumë më të thellë: faktit se ideologjia që prodhoi luftërat nuk është mposhtur në aspektin politik dhe shoqëror”, ka thënë Biserko.
Ajo vlerëson se kjo ideologji nuk është zhdukur, por është përshtatur me rrethanat e reja dhe ka marrë mjete të reja për të ushtruar ndikim.
Në këtë kuptim, sipas saj, luftërat jugosllave mbeten një paralajmërim për rrezikun që paraqet shndërrimi i identitetit kombëtar në projekt politik të shoqëruar me ambicie territoriale.

Kamberi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve po prek edhe Policinë në Luginën e Preshevës
Vuçiq kandidat për kryeministër, protesta në Nish kundër regjimit të tij
Ischinger: Kos me të drejtë anuloi vizitën në Beograd, çfarë akti i neveritshëm të nderosh një vrasës masiv
Serbia nderon Mlladiqit, reagon Kurti: Vështirë të flitet me atë shoqëri për përballje me të kaluarën
Kurti: Memorandumi i SANU-së dhe elitat serbe duhen studiuar me saktësi
Dehari thërret vazhdimin e seancës konstitutive më 9 shtator
Kurti në përvjetorin e vdekjes së Shën Nënës Tereza: Ajo u shndërrua në urë jo në mur
Gazetari Ermal Panduri denoncon në Polici dyshimet për përndjekje, thotë se mund të ketë lidhje me BIA-n