Skenderaj, 22 mars 2026 19:30
Banorët e fshatit Rezallë të Skenderajt kërkojnë që vendi, ku u vranë e u masakruan 98 banorë të këtij fshati dhe disa fshatrave të tjera gjatë luftës së vitit 1999, të futet në mbrojtjen e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale. Ata thonë se kjo zonë është harruar nga institucionet shtetërore.
Vendi ku u vranë e u masakruan 98 civilë të pafajshëm e të pambrojtur në Rezallë të Skenderajt, banorët e këtij fshati po kërkojnë që të futet në mbrojtjen e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.
Masakra e Rezallës është ndër më të rëndat gjatë luftës në Kosovë.
Hamdi Alijaj, banor i këtij fshati, thotë se mosmirëmbajtja e kësaj hapësire është humbje për institucionet shtetërore.
“Është kërkesë që në këtë vend duhet të vijë udhëheqja shtetërore dhe këtë vend ta fusë në mbrojtje shtetërore, të bëjnë një punë që i përket këtij vendi të historisë, të mbjellë drunj, aq sa dëshmorë i ka fshati Rezallë. Mosmirëmbajtja e këtij vendi nga institucionet shtetërore është një humbje e madhe e historikut tonë”, ka thënë Alijaj.
E Hashim Dërguti thotë se mosmirëmbajtja e kësaj hapësire është një problem shqetësues për të dhe banorët e tjerë.
“Duhet me qenë sa ma pastër, sa mirë duhet m’i bajtë e ma mirë nuk ka. Ma mirë nuk ka, që kur e dinë njeri ku është e çka ka qenë, kush e ku u vra, kjo nuk është mirë. Pastërtia për gjithkënd është kryesore”, është shprehur ai.
Në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale kanë njoftuar se zyrtarët e saj kanë ndalë në vendin e ngjarjes për të verifikuar gjendjen.
Ata po ashtu kanë bërë të ditur se do të investojnë në këtë vend nëse u jepet mundësia buxhetore.
“Sipas të dhënave të siguruara ju njoftojmë se vendi ku ka ndodhur Masakra e Rezallës nuk gjendet në listën e vendeve të cilat mirëmbahen nga AMMKM-ja. Në vitin 2013 janë bërë investime në Varrezat e Martirëve në Rezallë, ku edhe bëhet mirëmbajtja e tyre nga AMMKM. Ndërsa në vendin ku ka ndodhur Masakra e Rezallës, Agjencia sipas mundësive buxhetore planifikon që në të ardhmen të investojë”, thuhet në përgjigjen e AMMKM-së.
Më 5 prill të vitit 1999, në Masakrën e kryer nga ushtria dhe policia e Serbisë u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth.
Rezalla po ashtu doli nga lufta e fundit me 44 të zhdukur. Dy trupa janë gjetur në ditët e para të pasluftës në fshat, kurse 29 në varrezën masive Gurorja në Rudnicë të Rashkës.
Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e banorëve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj. Nga Masakra e Rezallës vetëm tre meshkuj kanë shpëtuar gjallë.

Aksidenti vdekjeprurës në vendpunishte, Inspektorati i Punës: Shkaku ende nuk dihet
Familjarët e të pagjeturve mirëpresin nisjen e gërmimeve në Zubin Potok
Sveçla, nga Zubin-Potoku: Nuk do të ndalemi deri në gjetjen e trupit të fundit
Instituti i Mjekësisë Ligjore: Mbetjet mortore në Zubin-Potok janë të njerëzve, puna do të vazhdojë
Gjenden mbetje mortore, dyshohet se janë të 23 intelektualëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë
Marrëveshje bashkëpunimi mes ministrive, FSK pjesë e aksioneve për ambient të pastër
Drita kualifikohet në raundin e tretë të Conference League
Kongresisti Wilson i kërkon Serbisë t’i ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Rusia, Kina e Irani