Tridhjetë vjet pas gjenocidit në Srebrenicë: Varrosen shtatë viktima të reja, të mbijetuarit ende kërkojnë drejtësi

Potoçari/Srebrenicë, 11 korrik 2025 – Me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, sot në Qendrën Përkujtimore në Potoçari u zhvillua ceremonia e varrimit për shtatë viktima të reja, të cilat janë identifikuar gjatë vitit të fundit. Arkivolat e tyre mbërritën dje në varreza dhe sot u prehën përfundimisht pranë mijëra viktimave të tjera.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë mijëra qytetarë nga Bosnja e Hercegovina dhe vendet e rajonit, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, si dhe familjarë të viktimave, të cilët vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen e humbjes dhe me shpresën për drejtësi të plotë.
Në ditët paraprake, mbi 6.000 persona morën pjesë në Marshin e Paqes, një rrugëtim simbolik prej rreth 100 kilometrash, që ndjek shtegun që të mbijetuarit përshkuan në korrikun tragjik të vitit 1995, duke ikur nga masakra.
Gjatë gjenocidit në Srebrenicë, u vranë të paktën 8.372 burra dhe djem boshnjakë. Për këtë krim të rëndë, Gjykata Ndërkombëtare ka dënuar me burgim të përjetshëm figurat kryesore të udhëheqjes serbe të Bosnjës – Ratko Mladić dhe Radovan Karaxhić – si dhe tre persona të tjerë. Megjithatë, shumë prej autorëve të tjerë të krimeve vazhdojnë të jenë të paprekur nga drejtësia.
Organizata TRIAL International, e cila ofron ndihmë juridike për viktimat e krimeve të luftës në Bosnje e Hercegovinë që prej 15 vitesh, thekson se shumë krime mbeten të pasanksionuara, ndërsa disa autorë të dënuar glorifikohen sot në komunitetet e tyre si “heronj”. Kjo krijon një klimë të rrezikshme mohimi, përçarjeje dhe padrejtësie.
Kada Hotiq, nënkryetare e Shoqatës “Nënat e enklavave Srebrenicë dhe Zhepë” dhe vetë e mbijetuar e gjenocidit, tha:
“Gjithnjë e më pak ka njerëz që dinë për varrezat masive, e disa ende heshtin. Ata që e kryen gjenocidin – e mohojnë. Duhet të ndalet mohimi dhe të pranohet e vërteta. E vërteta është ilaçi i vetëm.”
Edhe Nura Begoviq, kryetare e Shoqatës “Gratë e Srebrenicës” nga Tuzla, theksoi se shumë familje nuk kanë pranuar ende të varrosin mbetjet e të afërmve, për shkak se janë gjetur vetëm fragmente të vogla.
“Edhe një kockë e vetme do të thotë shumë për një nënë. Nuk do të lejojmë që kujtimi për ta të shuhet.”
Saliha Gjuderija nga Instituti për Personat e Zhdukur tha se, edhe pas tri dekadash, mbi 7.000 persona rezultojnë ende të zhdukur.
“Deri më tani janë gjetur dhe identifikuar mbi 25.500 viktima. Roli i familjeve ka qenë thelbësor në këtë proces.”
Që nga viti 2021, TRIAL International ka një marrëveshje bashkëpunimi me Qendrën Përkujtimore Srebrenicë për të avancuar drejtësinë kalimtare dhe kulturën e kujtimit.
Zëdhënësja e Qendrës, Almasa Salihoviq, theksoi:
“Kujtesa për gjenocidin në Srebrenicë mbështetet në fakte dhe dëshmi të të mbijetuarve. Është jetike që shoqëria jonë të përballet me të kaluarën dhe të mos e mohojë atë.”
Hasan Nuhanoviq, autor dhe i mbijetuar i gjenocidit, theksoi se:
“Edhe pse është arritur shumë në drejtësinë ndërkombëtare, proceset duhet të vazhdojnë. Ne, të mbijetuarit, jemi zëri që kujton dhe paralajmëron – për të mos lejuar që kjo të ndodhë më kurrë.”
Tre dekada më pas, Srebrenica mbetet plagë e hapur, por edhe simbol i forcës, kujtesës dhe betimit kolektiv për drejtësi. Vetëm përmes të vërtetës dhe njohjes së së kaluarës mund të ndërtohet paqja dhe dinjiteti i qëndrueshëm për brezat që vijnë.

Gjykata në Prishtinë cakton fillimin e gjykimit në mungesë për Masakrën e Reçakut: Të akuzuar 19 ish-zyrtarë ushtarakë dhe policorë serbë
Haxhiu: Lidhja e Prizrenit simbol i bashkimit dhe qëndresës kombëtare
Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj gjashtë serbëve, në vitin 2022, bllokuan rrugët kryesore
Ushtria amerikane nis një valë sulmesh kundër Iranit pas rrëzimit të helikopterit “Apache”
Van Bremt: Anëtarësimi i Malit të Zi në BE do të ishte një “skenar i tmerrshëm” për regjimin e Vuçiçit
Në Gjilan lansohet dokumentari për personat e zhdukur gjatë luftës
Bullgaria në krah të Kosovës për integrimin në BE dhe anëtarësimin në KiE
Dosja e Prokurorisë: Zbulohen detajet se si operonte grupi i shpartalluar kriminal
Haxhiu: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat