Prishtinë, 14 janar 2026 19:43
Në prag të 27-vjetorit të masakrës së Reçakut, të mbijetuarit kujtojnë krimin që forcat serbe kryen ndaj civilëve shqiptarë atë ditë. Ata kërkojnë nga institucionet e drejtësisë që rasti të marrë epilog më shpejt. Pak ditë para këtij përvjetori, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave.
Mali përballë vazhdon t’ia rikthejë kujtimet Ramë Shabanit, kur rreth tri dekada më parë i shpëtoi breshërisë së plumbave të forcave serbe, që i shkonin nga të gjitha anët.
Në mendje i vijnë pamjet e mëngjesit të 15 janarit 1999. Atë ditë Reçaku i Shtimes u rrethua nga të gjitha anët.
“Nja 10 vetë jonë vra kah kom ik unë. Në tesha kom pas plumba krejt, kryt e qam, i rreht derisa u thy druni n’mu…”, thotë Shabani.
Vëllai i tij, 23-vjeçar, u vra së bashku me 29 persona të tjerë tek një përrua në mal, derisa po përpiqeshin t’u shpëtonin forcave serbe. Ai tregon momentin kur u nda me të.
“Ragipi u kanë me mu, unë sun e kalova gardhin se kisha vajzën e mu dhimke me lon se thojsha me dal n’mal shpëtojmë. Nafaka sun e kalova ai e kaloj e ai u zan para neve Ragipi edhe e kanë masakru në mënyrën ma të rënd edhe… mo jom nal edhe kam thanë zot rumi mend, o allah rumi mend”, tregon Shabani.
Edhe Agron Mehmeti është i mbijetuar i masakrës së Reçakut. Para syve të tij, atëherë 22-vjeçar, iu vranë axha dhe vajza e axhës.
Për këtë ngjarje dhe për gjithçka që kishte parë në Reçak, ai dëshmoi në Tribunalin e Hagës në vitin 2002, ku u përball drejtpërdrejt me Sllobodan Millosheviqin.
“Sa herë e kqyrsha në sy Sllobodan Millosheviqin, në anën tjetër m’u dokshin që po i shoh njerëzit e vramë e të masakrum të Reçakut. Unë e kam thanë atë çka kom mujt me thanë, kryesorja ajo është pranu se kena pas shumë fakte dhe argumente”, thotë Mehmeti.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave që dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Reçak. Ata akuzohen për vrasjen e 45 civilëve.
Avokati Amer Alija tregon rreziqet nga shtyrja e mëtejme e procesit gjyqësor.
“Sigurisht që krimet e luftës apo veprat penale të krimeve të luftës nuk parashkruhen, pra nuk vjetërsohen, por me kalimin e kohës vdesin personat të cilët kanë kryer krime, vdesin dëshmitarët të cilët kanë informata dhe kanë njohuri mbi identitetin e kryerësve të veprave penale dhe sigurisht që koha është duke punuar në interes të personave të dyshuar dhe është duke punuar në dëm të drejtësisë”, deklaron Alija.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, përkatësisht brigadës “243 të Mekanizuar”, dhe si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik.
Pas masakrës së Reçakut, u shtrua presioni ndërkombëtar mbi Serbinë. Si shef i misionit verifikues të OSBE-së, ëilliam ëalker e cilësoi masakrën si krim kundër njerëzimit. Dy muaj më vonë, NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve ndaj forcave të ish-Jugosllavisë.
