Prishtinë 23 Dhjetor 2025 18:13

Serbia vazhdon të shmangë një përballje reale me krimet e luftës të kryera gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, duke refuzuar përgjegjësinë institucionale dhe politike për mijëra viktima.

Kështu ka deklaruar aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut dhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, në një intervistë për Novosti.

Sipas Kandiq, dështimi i iniciativës rajonale REKOM – Komisioni Rajonal për përcaktimin e fakteve mbi krimet e luftës – është pasojë direkte e mungesës së vullnetit të autoriteteve serbe për të pranuar rolin e shtetit në luftërat në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Ajo theksoi se REKOM ishte paraparë si një mekanizëm zyrtar ndër-shtetëror për dokumentimin e krimeve të luftës, regjistrimin e të gjitha viktimave dhe sqarimin e rrethanave të vrasjeve dhe zhdukjeve.

Megjithatë, përfshirja e përgjegjësisë së institucioneve shtetërore serbe në këto procese, sipas saj, u refuzua nga strukturat politike në Beograd.

“Dëshmitë e viktimave pranoheshin vetëm në nivel personal, por çdo përpjekje për të përcaktuar përgjegjësinë sistemike të regjimeve dhe institucioneve shtetërore u refuzua,” deklaroi Kandiq.

Ajo rikujtoi se Serbia ka qenë e përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në disa luftëra në territorin e ish-Jugosllavisë, pa pranuar asnjëherë përgjegjësi shtetërore për krimet e kryera nga ushtria, policia dhe formacionet paramilitare të lidhura me Beogradin.

Duke folur për drejtësinë tranzicionale, Kandiq vlerësoi se proceset gjyqësore për krime lufte në Serbi janë të kufizuara, selektive dhe nën presion të vazhdueshëm politik.
Sipas saj, prokuroria për krime lufte vepron në një ambient ku pushteti politik kontrollon narrativën dhe pengon hetimet që mund të çojnë drejt përgjegjësisë së niveleve të larta shtetërore.
Një ndër çështjet më problematike, sipas Kandiq, mbetet ajo e personave të zhdukur.
Ajo deklaroi se autoritetet serbe posedojnë informacione për varreza masive dhe lokacione të trupave, por refuzojnë t’i bëjnë publike për arsye politike.
“Moszbulimi i varrezave masive nuk është rastësi, por vendim politik për të shmangur përgjegjësinë,” theksoi ajo.Pavarësisht kësaj klime, Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, vazhdon dokumentimin e krimeve dhe viktimave.
Kandiq përmendi edhe botimin e një libri për personat e zhdukur në Kosovë, si përpjekje për ruajtjen e kujtesës dhe dinjitetit të viktimave.
Në përfundim, ajo paralajmëroi se pa një përballje të sinqertë të Serbisë me të kaluarën e dhunshme dhe pa përgjegjësi institucionale, rajoni do të mbetet i mbërthyer nga narrativat nacionaliste dhe mohimi i krimeve, ndërsa viktimat do të vazhdojnë të mbeten pa drejtësi.

By US5