Prishtinë, 19 dhjetor 2025 06:51
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të enjten është dëgjuar dëshmitari Flamur Rexhaj, i cili ka rrëfyer tmerrin e marsit 1999 në fshatin Lubozhdë të Istogut, kur forcat policore serbe masakruan 5 civilë shqiptarë, mes tyre babanë e tij.
Dëshmitari Rexhaj tregoi se gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, kishte qenë në shtëpi kur policët serbë i kishin dëbuar prej shtëpisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në fillim të marsit ’99, janë ardhë vetëm na kanë thanë kemi urdhër prej lart me i lëshu shtëpitë dhe sa më shpejtë me i lëshu”, deklaroi Rexhaj.
Ai tha se familja e tij ishte larguar nga shtëpia dhe kishte qëndruar dy ditë e dy netë në “Vadën e Kronit të Keq” në Vodicë, pastaj ishte zhvendosur në Llugët e Mëdha dhe më pas në Vrellë.
Babai i tij, dëshmitari thotë se kishte mbetur në shtëpi me katër persona të tjerë. Ai tregon se pas dy-tre ditësh ishte kthyer për të marrë ushqim për fëmijët e vegjël dhe e kishte gjetur babanë mirë, i cili i kishte i dhënë para dhe ushqim.
Pas një jave, Rexhaj deklaron se ishte kthyer sërish për të marrë babanë në Vrellë, por ishte penguar nga të shtënat prej Lubozhdës në bjeshkë të Gradinës.
“Jam kthyer mas te baba dhe jam kthyer ka Godinca kah mali”, tha ai.
Nga aty, Rexhaj thotë se kishte parë një xhip të verdhë “Land Rover” të parkuar në Lubozhdë të Banit, me katër-pesë persona.
“Unë i kam përcjellë se kush po hyn edhe aty e kam pa Zharkon i cili ka hy në kerr, nuk u dallojshin se kanë qenë me tesha të policisë dhe janë nisë teposhtë…”, deklaroi dëshmitari.
Sipas tij, personat në xhip ishin të armatosur me automatë. Tha se më pas xhipi kishte shkuar drejt shtëpisë së babait të tij, ku edhe ishin dëgjuar krisma. Pastaj, dëshmitari tregon se shtëpia ishte djegur derisa terri kishte rënë në tokë.
“Masanej ka dalë tymi i shpisë deri u bo terr, kur e ka djegë shpinë ai xhipi, u kthy prej poshtit dhe në Pallaçevë te Dani në qendër kanë qit për qejf me armë”, tha dëshmitari Rexhaj.
Dëshmitari tregoi se kishte qëndruar në mal deri në terr dhe pastaj ishte kthyer në shtëpi me tre-katër persona të tjerë, ku i kishte gjetur të vrarë babanë e tij dhe katër të tjerë: I., Sh., Z., dhe R.
“Shtëpia ende po digjej. Jam dalë në Vrellë, kemi nejt ton natën aty, ton ditën deri të nesërmen, pastaj i kemi shti në dhe para shpie dhe i kem mbulu edhe apet jemi shku kah Llugat e Mëdha”, deklaroi dëshmitari Rexhaj.
Prokurori Armend Zenelaj e pyeti dëshmitarin nëse djegia e shtëpisë kishte ndodhur gjatë ditës kur kishte parë xhipin dhe të akuzuarinn Zariq.
Ai shtoi se atë ditë nuk ishte djegur asnjë shtëpi tjetër, përveç asaj të babait tij ku ishin të vrarët, dhe se 5 persona ishin vrarë e djegur- mes tyre babai.
I pyetur se kush dyshohet se e ka kryer veprën, ai përmendi Ratko Ristiqin.
“Veprën e kanë kry, qysh kanë thanë edhe romët se Ratko Ristiq- kur ka ardhë Ratko në Lubozhdë, kallëzojshin romët se nonstop i ka majt durt me gjak dhe ka than ‘Se pa i hek krejt shqiptarët, unë duart nuk i laj, po ha buk me to’”, deklaroi Rexhaj.
Përveç asaj dite, ai thotë se të akuzuarin Zharko Zariq e kishte parë pas lufte, por para lufte- vetëm në rastin në Lubozhdë.
Për të akuzuarin Momir Pantiq, dëshmitari Rexhaj tha se e kishte parë para dhe pas luftës, dhe e njihte si shef policie “naçallnik”.
“Mua më ka njoh, ma ka njoh babën. Kur ka vdek dikush, kemi shku se nuk kemi bo diçka keq. Dersa pak para luftës ma ka marrë mixhen dhe i ka thanë kam me të marr në pyetje”, tha ai, duke shtuar se më pas axhën e tij e kishin rrahur nipi i Pantiqit dhe djali i “Bojkës”.
Për Ratko Ristiqin, dëshmitari tha se ka qenë shofer i autobusit.
“Kryesori u kanë Zharko për Libozhdë, krejt se ka qenë edhe me shkollë të kryne dhe polic përpara”, u shpreh ai.
Duke dalë nga salla e gjyqit, i akuzuari Momir Pantiq iu drejtua dëshmitari Flamur Rexhaj duke i thënë “boni t’fala te shtëpia”.
Rexhaj iu përgjigj duke i thënë “s’kam kujt, ka vdek baba”, por që Pantiq iu kundërpërgjigj me “S’e ki, ki vëllanë e motrën”.
Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.
Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.
Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut.
