Prishtinë, 25 prill 2026 12:03
Zhvillimet që pasuan rastin e sulmit në Banjskë po konsiderohen si momenti që shënoi rënien e politikës serbe ndaj Kosovës, veçanërisht asaj të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiç.
Sipas vlerësimeve të analistëve, kjo ngjarje rrëzoi të gjithë qasjen e ndërtuar ndër vite nga ai dhe Partia Përparimtare Serbe (SNS), duke përfshirë edhe periudhën që nga pranimi i Marrëveshjës së Brukselit 2013.
Procesi i rënies, sipas tyre, kishte nisur më herët me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, ngritjen e barrikadave dhe refuzimin për të marrë pjesë në zgjedhje, për të kulmuar me ngjarjet në Banjskë.
Pas kësaj, autoritetet serbe, përfshirë presidentin Vuçiç, janë shfaqur pasivë, ndërsa politika e mëparshme konsiderohet e dështuar dhe pa alternativë të re.
Në këtë kontekst, vlerësohet se qasja e Beogradit është zhvendosur drejt kompensimit financiar të serbëve të Kosovës, duke mbajtur pagesat edhe pse strukturat institucionale janë dobësuar ose shuar.
Ndërkohë, roli i Listës Serbe vlerësohet se ka humbur besueshmërinë, pasi, sipas kritikëve, ajo ka ndjekur kryesisht agjendën e Beogradit dhe jo nevojat reale të komunitetit serb në Kosovë, pavarësisht faktit se përfaqësuesit e saj kanë qenë pjesë e institucioneve dhe madje edhe e qeverisë.
Analistët theksojnë gjithashtu se pritjet e një pjese të serbëve për rikthim në situatën para vitit 2013 janë jorealiste. Me Marrëveshjën e Brukselit 2013, institucionet e Kosovës janë konsoliduar në të gjithë territorin, ndërsa prania e autoriteteve të saj është njohur, çka nënkupton se çdo veprim i paautorizuar mund të trajtohet si akt i jashtëligjshëm apo edhe terrorist nga institucionet e Kosovës.
Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerësohet se ai është zbehur ndjeshëm. Pritjet kanë qenë për ulje të nivelit të përfaqësimit në bisedime, duke e reduktuar procesin në çështje teknike, me takime të rralla mes Vuçiçit dhe kryeministrit Albin Kurti. Sipas këtyre qëndrimeve, faza e marrëveshjeve të mëdha ka përfunduar dhe tani mbetet vetëm zbatimi i atyre ekzistuese.
Në këtë kuadër, skepticizmi për formimin e Asociacioni i Komunave me shumicë serbe mbetet i lartë. Sipas Dragan Mijaçiq, koordinator i Konventës Kombëtare të Serbisë për Kapitullin 35 të BE-së, kjo çështje nuk është më prioritet ndërkombëtar, ndërsa përdoret nga Serbia si argument politik.
Ai kritikon gjithashtu qasjen e presidentit Vuçiç, duke theksuar se shprehjet e zhgënjimit nuk mjaftojnë pas një procesi të gjatë negociator, nëse nuk shoqërohen me përgjegjësi konkrete politike dhe morale, sidomos duke pasur parasysh pasojat që kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Në fund, ai ngre shqetësimin për mënyrën se si është strukturuar pushteti në Serbi, duke e përshkruar si një sistem piramidal ku vendimmarrja përqendrohet tek një individ.
Sipas tij, mungesa e angazhimit për çështjen e Kosovës ka krijuar një boshllëk institucional, pavarësisht ekzistencës së mekanizmave dhe strukturave shtetërore.
Nëse kjo situatë vazhdon, paralajmëron ai, problemet aktuale mund të thellohen edhe më tej, duke lënë pasoja afatgjata për komunitetin serb në Kosovë.

Manipulimi i fokusit publik: Kosova si instrument në raportet Serbi- Mali i Zi
Zulfaj: Kosova është e gatshme për statusin e vendit kandidat
Haxhiu përfaqëson Kosovën në samitin SEECP në Sofje
Rashiq: Serbët iu nënshtruan presionit e shantazhit nga Lista Serbe
Kurti nis vizitën në Austri, në fokus bashkëpunimi dhe integrimi evropian
Kallas: Zgjedhjet në Kosovë hapin rrugën për tejkalimin e ngërçit politik
Suhareka do të bëhet me Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare të re, investim prej 4 milionë euro
Biblioteka Kombëtare me ekspozitë `KFOR and Kosova +25`
Maqedonci priti studentët nga Zvicra: Kosova po forcon rolin e saj në sigurinë evropiane
775 mijë euro investim për furnizim më të mirë me ujë në katër fshatra të Mitrovicës