Prishtinë 26 Maj 2026 8:17
Në fshatin Atmaxhë të Prizrenit, tradita e kultivimit të dredhëzës po zhvillohet me metoda moderne, duke u shndërruar në një model të suksesshëm për bujqësinë vendore. Falë mbështetjes institucionale dhe aplikimit të praktikave të avancuara agroteknike, kjo kulturë po dëshmohet si një ndër më fitimprurëset për fermerët kosovarë, me rendimente të larta dhe treg të sigurt.
Flamur Gashi, fermer nga Atmaxha, është marrë me kultivimin e dredhëzës që nga fëmijëria. Para pesë vitesh, me përkrahjen e Komunës së Prizrenit, ai nisi kultivimin me sistem të avancuar, që përfshin mbulimin e tokës me foli dhe instalimin e një sistemi modern të ujitjes.
Sipas tij, ky investim ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së frutit, duke garantuar njëkohësisht edhe tregun.
“Ky sistem na ka rritur prodhimtarinë dhe cilësinë, ndërsa na ka siguruar edhe shitjen. Aktualisht kultivojmë rreth një hektar me dredhëz, me prodhim mbi 25 tonë për hektar,” thotë Gashi.
Familja Gashi kultivon dy varietete dredhëze, ndërsa periudha e prodhimit zgjat rreth 45 ditë. Ata e konsiderojnë këtë kulturë mjaft fitimprurëse, duke vlerësuar pozitivisht edhe subvencionet dhe mbështetjen nga institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë.
Agronomi Asim Thaçi, i angazhuar në projektet për avancimin e kultivimit të dredhëzës, shpjegon se tokat më të përshtatshme për këtë kulturë janë tokat e lehta, ndërsa mbulimi me foli është një masë shumë efektive për mbrojtjen nga ngricat e hershme pranverore.
Ai thekson se sëmundjet më të shpeshta që prekin dredhëzën janë kalbëzimi dhe fitoftora, të cilat kërkojnë menaxhim të kujdesshëm gjatë gjithë ciklit të prodhimit.
Ndërkohë, drejtuesi i Shoqatës Nacionale “Mjedrat e Kosovës”, Kujtim Lepaja, vlerëson se Kosova ka një traditë të hershme në kultivimin e dredhëzës.
“Aktualisht në Kosovë janë rreth 150 hektarë të mbjella me dredhëz, ndërsa nevojat e tregut vendor janë të paktën trefish më të larta,” deklaron Lepaja.
Sipas tij, përmes kombinimit të kultivarëve të ndryshëm dhe aplikimit të praktikave të duhura agroteknike, dredhëza në Kosovë mund të prodhohet deri në 270 ditë brenda vitit.
“Më profitabilë janë kultivarët rilulëzues, pasi kanë periudhë më të gjatë prodhimi dhe krijojnë mundësi më të mëdha për përfitim ekonomik,” shton ai.
Lepaja rikujton se në vitet ’70 në Kosovë kultivohej një kultivar gjerman, i cili më vonë u zëvendësua me kultivarë të rinj. Sipas tij, ky kultivar po rikthehet gradualisht në tregun evropian, kryesisht për industrinë përpunuese.
Ekspertët rekomandojnë që dredhëza të mos kultivohet më shumë se tri vite radhazi në të njëjtën parcelë, ndërsa rikthimi në të njëjtën tokë duhet të bëhet vetëm pas një periudhe qarkullimi bimor prej së paku tri vitesh.
Përveçse një kulturë fitimprurëse, dredhëza nuk kërkon fuqi të madhe të rregullt punëtore, çka e bën edhe më tërheqëse për fermerët kosovarë. Megjithatë, përveç rrezikut nga kalbëzimi si pasojë e lagështisë, kjo kulturë mbetet e ndjeshme edhe ndaj ngricave të hershme pranverore. Prandaj, mbrojtja teknike dhe menaxhimi profesional mbeten kyçe për suksesin e saj.

“Garancia për të Rinjtë”, programi që synon punësimin dhe aftësimin e të rinjve në Kosovë
MINTI dhe KIESA lansojnë skema grantesh prej 5.8 milionë euro për bizneset në Kosovë
Gërvalla: Sundimi i ligjit është shtylla që e mban shtetin në këmbë
ATK: Nga 1 qershori, pagesat mbi 2 mijë euro me individë s’lejohen me para kesh
Nis rishikimi i ligjit për Parqet Kombëtare: Synohet zgjidhje për Rugovën, Lugun e Butë dhe Deçanin
Ekzekutohen shtesat prej 500 eurosh për lehonat
Dredhëza, kulturë fitimprurëse që po avancon fermerët kosovarë
ShBA nis sulme të reja ndaj Iranit
Kosova sot mirëpret kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramany