Prishtinë, 18 nëntor 2025 08:48
Në Kosovë, dezinformimi nuk është më fenomen dytësor, por një armë e sofistikuar që po përdoret për të ndarë shoqërinë dhe për të minuar besimin ndërkomunitar. Sipas Qendrës për Studime të Sigurisë, që ka publikuar një raport rreth radikalizmit etniko-politik në Kosovë nëpërmjet dezinformimit, Serbia dhe Rusia janë aktorët kryesorë që orkestrojnë fushata të qëllimshme të keqinformimit, duke paraqitur Kosovën si “shtet të dështuar” dhe duke e portretizuar komunitetin serb si viktimë të represionit shtetëror.
Fushatat e dezinformimit përdorin narrative kundërshtuese për të shqiptarët dhe serbët. Serbëve u thuhet se çdo veprim i institucioneve është sulm ndaj tyre, ndërsa shqiptarëve u ofrohet imazhi i një agresioni serb të vazhdueshëm. Rezultati është një perceptim i përbashkët i kërcënimit, frikës dhe viktimizimit, që mban komunitetet të ndara dhe pengon çdo dialog konstruktiv.
“Telegrami dallohet si hapësira më e pakontrolluar e përmbajtjes urrejtëse dhe thirrjeve për mobilizim etnik. Kanale me mijëra ndjekës transformojnë brenda minutash incidente të izoluara në thirrje nacionaliste. TikTok dhe Facebook luajnë rol të dytë në përhapjen virale të videove të manipuluara dhe teorive konspirative”, thuhet mes tjerash në këtë raport.
Mediat e lidhura me Beogradin prodhojnë përmbajtje të qëllimshme që shpërndahet më pas në portale shqipfolëse pa verifikim. Rusia përforcon këto narrative përmes kanaleve të saj mediatike dhe rrjeteve sociale, duke diskredituar institucionet e Kosovës dhe duke minuar integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Për më tepër, media vendore dhe politikanët shpesh amplifikojnë këto mesazhe për interesa të brendshme. Portalet shqipfolëse shpesh mbështeten vetëm në burime zyrtare, duke injoruar zërat e komunitetit serb. Në anën tjetër, media serbishtfolëse e prezanton çdo veprim institucional në veri si represion. Kjo krijon boshllëqe informative dhe një realitet paralel, ku e vërteta varet nga përkatësia etnike, theksohet në raportin e QKSS-së.
Raporti i Qendrës për Studime të Sigurisë nënvizon se institucionet kosovare nuk kanë ende mekanizma të koordinuar dhe gjithëpërfshirës për të verifikuar dhe reaguar ndaj dezinformimit. Komunat multietnike mund të shndërrohen në “mburojë të parë”, duke krijuar pika lokale për verifikimin e informacionit dhe komunikim dygjuhësh. Forume ndër-komunale dhe programe edukative për të rinjtë mund të ndërtojnë reziliencë ndaj propagandës dhe të kthejnë rrjetet sociale në hapësira edukimi, jo manipulimi.
Në mungesë të këtyre hapave, Serbia dhe Rusia do të vazhdojnë të përdorin dezinformimin për të destabilizuar Kosovën, duke e bërë shoqërinë të ndarë dhe dialogun ndërkomunitar pothuajse të pamundur. Lufta kundër lajmeve të rreme nuk është vetëm sfidë mediatike – është çështje e sigurisë kombëtare dhe e ardhmes së paqes në Kosovë.

BE pezullon të gjitha pagesat financiare për Serbinë
Qeveria ndan 45 mijë euro për Forumin Ekonomik të Vjenës
Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 7 qershor
Bllokim i donacioneve nga Kosova, Kamberi: Bankat po bëhen instrument i diskriminimit ndaj shqiptarëve
Rexhepi:Serbia bllokon fondet e Kosovës, nxënësit e Luginës mbesin pa libra
Milanoviq: Pretendime të pakuptimta se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten të sulmojnë Serbinë
Haxhiu: E mirëpres prezantimin e rezolutës në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO
Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë
36 vjet nga pajtimi i gjaqeve te Verrat e Llukës