Kllokot, 10 nëntor 2025 18:34
Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arbër Emini, ka paraqitur ankesë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke pretenduar se lejimi i pjesëmarrjes së kandidatit Sreçko Spasiq në zgjedhjet lokale në këtë komunë është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi – sipas tij – Spasiq nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për kandidim.
Sipas Eminit, me këtë veprim është cenuar integriteti kushtetues, ligjshmëria dhe procesi zgjedhor në tërësi.
“Kjo ankesë paraqitet me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit dhe demokracisë së Republikës së Kosovës nga veprimet e kundërligjshme të dy kandidatëve për kryetar komune gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve në Komunën e Kllokotit, të cilët minojnë çdo parim kushtetues mbi të cilin është ndërtuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si pasojë e shkeljes së neneve 1, 2 dhe 4 të saj”, thuhet në ankesën e Eminit drejtuar PZAP-së.
Ai thekson se pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve, kanë ndodhur zhvillime që, sipas tij, e kanë deformuar tërësisht procesin demokratik dhe kanë cenuar ligjshmërinë e raundit të dytë.
Në këtë kuadër, Emini pretendon se në mënyrë të koordinuar dhe të paracaktuar, Sreçko Spasiq ka njoftuar publikisht se i bashkohet Listës Serbe – partisë dominuese të komunitetit serb në Kosovë, e cila gëzon mbështetje të plotë politike dhe financiare nga Beogradi.
“Në njoftimin zyrtar të publikuar nga Lista Serbe theksohet se Spasiq, së bashku me të gjithë anëtarët dhe këshilltarët e subjektit të tij, ‘besojnë pa rezerva në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq’. Kjo konfirmon bashkimin e dy subjekteve politike që, në këtë fazë të procesit zgjedhor, ligjërisht nuk mund të bashkohen, duke krijuar një koalicion të ndaluar dhe duke e lënë votuesin pa alternativë reale,” thuhet në ankesë.
Kandidati i pavarur shqiptar, i cili garoi për postin e kryetarit të Kllokotit, shton se menjëherë pas këtij bashkimi politik, Serbia e ka emëruar Sreçko Spasiqin si “president të Organit të Përkohshëm të Komunës së Vitisë” – strukturë paralele ilegale që vepron në territorin e Republikës së Kosovës jashtë rendit kushtetues të vendit. Sipas tij, ky emërim është i dokumentuar në aktet zyrtare të Qeverisë së Serbisë.
“Është e qartë se kandidimi i një personi që njëkohësisht mban pozitë si ‘kryetar’ në strukturat paralele serbe, përbën shkelje të rëndë të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Edhe pse legjislacioni zgjedhor nuk e përmend shprehimisht këtë situatë, disa dispozita dhe parime relevante ofrojnë bazë për veprim. Kushtetuta e Kosovës përcakton se askush nuk mund të ushtrojë funksione publike që nuk burojnë nga Kushtetuta ose ligji, prandaj strukturat paralele nuk kanë bazë legjitime në Kosovë,” ka deklaruar Emini për Veritas.info.
Ankesa e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arbër Emini
DREJTUAR: Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; PZAP
PARASHTRUES: Arbër Emini, kandidat i pavarur për Kryetar të Komunës së Kllokotit për Zgjedhjet Lokale 2025;
OBJEKTI: Konstatimi i shkeljes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe i legjislacionit zgjedhor gjatë procesit të votimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale për Kryetar Komune në Kllokot, konkretisht për shkak të lejimit dhe
pjesëmarrjes së kandidatit z. Srecko Spasic, si person i cili nuk plotësonte kushtet ligjore për kandidim, gjë që ka cenuar integritetin kushtetues, ligjshmërinë dhe rregullsinë e procesit zgjedhor në Komunën Kllokot;BAZA LIGJORE: Ligji Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, neni
- Hyrje:
- Kjo ankesë paraqitet me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit dhe demokracisë së Republikës së Kosovës, nga veprimet e kundërligjshme të dy kandidatëve për kryetar komune gjatë raundit të dytë të Komunën e Kllokotit, të cilët minojnë secilin parim kushtetues mbi të cilën është ndërtuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si pasojë e shkeljes së nenit 1, 2 dhe 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për arsyet që do t’i shtjellojmë në vijim.
- Rrethanat faktike të zgjedhjeve në Kllokot:
- Republika e Kosovës është shtet laik, demokratik dhe sovran, ku ushtrimi i pushtetit buron drejtpërdrejt nga populli dhe materializohet përmes përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe të ndershme. Çdo devijim nga ky parim cenon përkufizimin e vetë shtetit,sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Pikërisht këto tri shtylla, përkufizimi i shtetit, sovraniteti dhe rendi kushtetues, janë cenuar në mënyrë serioze në procesin zgjedhor të Komunës së Kllokotit, siç parashtruar më poshtë.
- Në bazë të vendimit nr. 22/2025 të Presidentes së Republikës së Kosovës, janë shpallur
zgjedhjet lokale në të gjitha komunat e vendit, përfshirë edhe Komunën e Kllokotit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (këtu e tutje “KQZ”) certifikoi katër kandidatë për kryetar komune në këtë komunë: 1) Arbër Emini – kandidat i pavarur; 2) Goran Marinkoviq –Kosovski Savez; 3) Sreçko Spasiq – Srpska Narodna Sloga; 4) Bozhidar Dejanoviq – Srpska Lista. Zgjedhjet e datës 12 tetor rezultuan me këto përqindje votash: 1) Bozhidar Dejanoviq: 41.38%; 2) Sreçko Spasiq: 31.23%; 3) Arbër Emini: 24.00%.
- Meqenëse asnjë kandidat nuk e kaloi pragun prej 50% + 1 votë, sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale u shkuan drejt raundit të dytë me dy kandidatët më të votuar: Bozhidar Dejanoviq dhe Sreçko Spasiq.
- Mirëpo, pas përfundimit të raundit të parë, ndodhën zhvillime që e kanë deformuar tërësisht procesin demokratik dhe kanë cenuar ligjshmërinë e raundit të dytë. Konkretisht, në mënyrë të koordinuar dhe të paracaktuar, Srećko Spasić njoftoi publikisht se i bashkohej Listës Serbe, partisë dominuese të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetje të plotë politike dhe financiare nga Beogradi. Në njoftimin zyrtar të publikuar nga Lista Serbe, theksohet se Spasić, së bashku me të gjithë anëtarët dhe këshilltarët e subjektit të tij, “besojnë pa rezerva në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.” Kjo konfirmon bashkimin e dy subjekteve politike që në këtë fazë të procesit zgjedhor ligjërisht nuk mund të bashkohen, duke krijuar një koalicion të ndaluar dhe duke e lënë votuesin pa alternativë reale.
- Menjëherë pas këtij bashkimi politik, Qeveria e Serbisë e emëroi Srećko Spasić si “president të Organit të Përkohshëm të Komunës së Vitisë”, strukturë paralele ilegale që vepron në territorin e Republikës së Kosovës, jashtë rendit kushtetues të vendit. Ky emërim është fakt i dokumentuar zyrtarisht në aktet e Qeverisë së Serbisë.
III. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat, argumentum a contario, mbështesin ankesën aktuale dhe ndërlidhja e tyre me rastin konkret:
- Kushtetuta e Republikës së Kosovës e bënë të qartë se sovraniteti buron nga populli dhe ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike, ndër forma të tjera. Po ashtu, sovraniteti dhe integriteti territorial janë të pacenueshëm e mbrohen me të gjitha mjetet kushtetuese. Kjo nënkupton se proceset zgjedhore duhet të zhvillohen në përputhje me kushtetutën, duke ruajtur integritetin kushtetues të Republikës.
- Në praktikë, Gjykata Kushtetuese ka nënvizuar se zgjedhjet e lira dhe konkurruese janë themel i rendit demokratik kushtetues. Për shembull, në vendimin mbi zgjedhjen e Presidentit në rastin KO 29/11, Gjykata konstatoi se procedura ishte jokushtetuese pasi cenonte kërkesat e Kushtetutës dhe parimet demokratike të mishëruara aty. Ndonëse në rastin e presidentit këtë e kërkon shprehimisht Kushtetuta, por faktin se duhet ky kanditat për raundin e dytë del fare qartë nga neni 9.5 i Ligjit për Nr. 03/L-072 Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës.
- Parimet kushtetuese të demokracisë e bëjnë të qartë se një kandidaturë “fiktive” cenon
legjitimitetin e garës. Një kandidat që deklarohet i tërhequr publikisht, por vazhdon të figurojë në fletëvotim, praktikisht i privon votuesit nga mundësia e zgjedhjes reale. Në rastin Pacolli (2011), Gjykata Kushtetuese theksoi domosdoshmërinë e konkurrencës së vërtetë midis më shumë se një kandidati. Gjykata Kushtetuese shprehimisht konstatoi se një procedurë zgjedhore me vetëm një kandidat shkel parimet demokratike të Kushtetutës.
- Në analogji, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, prania de facto e vetëm një kandidati aktiv bie ndesh me parimin e garës së lirë. Vlen të theksohet se rregulloret zgjedhore përcaktojnë afate strikte për tërheqjen formale të kandidaturave. Zëdhënësi i KQZ, për mediumin Telegrafi, kishte sqaruar se afati i tërheqjes ishte 02 shtatori 2025 dhe pas kësaj date kandidati mbetet në garë pavarësisht deklaratave. Kjo e bënë të qartë se ligji nuk e lejon tërheqjen e vonuar të kandidatit dhe si rrjedhojë, kanditati nuk mund të tërhiqet joformalisht, ose, në rastin konkret, meqë është tërhequr kundërligjshë,, duhet të ketë pasoja.
Neni 1 [Përkufizimi i Shtetit]
- Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj.
- As Kushtetuta e as ligjet zgjedhore nuk parashikojnë mundësinë e formimit të
koalicioneve të reja pas përfundimit të raundit të parë. Përkundrazi, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton qartë në nenin 19.4 se një parti politike, pasi të jetë certifikuar në një koalicion zgjedhor, nuk mund të garojë njëkohësisht jashtë atij koalicioni apo në një koalicion tjetër në të njëjtat zgjedhje. Kjo dispozitë synon të parandalojë ndryshimin e aleancave pas hyrjes në garë, çka do të mashtronte votuesit dhe do të prishte barazinë e garës.
- Bashkimi deklarativ i dy subjekteve politike midis dy raundeve, bie ndesh me frymën e këtyre rregullave. Një veprim i tillë në fakt përbën koalicion të kundërligjshëm. Në rastin konkret të Kllokotit, bashkimi i kandidatit të iniciativës “Srpska Narodna Sloga” me Listën Serbe pas raundit të parë i la votuesit pa zgjedhje alternative, duke e bërë balotazhin një formalitet byrokratik. Ky skenar cenon seriozisht parimin kushtetues të garës së drejtë dhe të barabartë së votës, siç garantohet nga neni 45 i Kushtetutës dhe deformon vullnetin e lirë të zgjedhësve.
- Parimi që del nga Kushtetuta, konkretisht nga neni 4.7, është se rendin kushtetues dhe sigurinë publike e garantojnë ekskluzivisht institucionet demokratike të Republikës së Kosovës. Çdo strukturë paralele e pabazuar në Kushtetutë cenon këtë rend kushtetues. Edhe pse nuk kemi një vendim specifik të Gjykatës Kushtetuese pikërisht për kandidimin e një individi me funksion në struktura paralele, vetë Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës e bëjnë të qartë se funksionarët paralelë nuk mund të ushtrojnë autoritet brenda Kosovës.
Neni 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit]
- Republika e Kosovës ka institucionet e veta për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike, të cilat funksionojnë nën autoritetin kushtetues të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.
- Pra, çdo person që ushtron funksione zyrtare të emëruara nga Serbia në Kosovë vepron jashtë kornizës kushtetuese. Një kandidaturë e tillë vë në pikëpyetje besnikërinë ndaj Republikës dhe integritetin e postit publik që ai person synon. Në kontekstin zgjedhor, lejimi i një kandidati që njëkohësisht mban pozitë si “kryetar” i një komune paralele të emëruar nga qeveria e Serbisë do të cenonte parimin e sovranitetit shtetëror në zgjedhje.
Në vijim do të trajtojmë të dy shkeljet veç e veç..
- Shkelja e Kushtetutës si rrjedhojë e kandidimit të vetëm një kandidati:
- Ligji i Zgjedhjeve Lokale përcakton qartë se raundi i dytë (balotazhi) zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota në raundin e parë. Formula ligjore nënkupton se të dy kandidatët marrin pjesë aktivisht në garën për kryetar komune. Nuk ekziston asnjë dispozitë që të lejojë që njëri nga dy kandidatët e balotazhit të jetë vetëm “fiktiv” ose joaktiv , përkundrazi, logjika e ligjit kërkon dy alternativa reale para votuesve.
- As Ligji për Zgjedhjet Lokale nr. 03/L-072 as Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme nr. 08/L-228 nuk e parasheh një garë me një kandidat të vetëm në raundin final. Kjo do të thotë se ligji, në emër të demokracisë, kërkon një konkurrencë. Prandaj, nëse njëri kandidat braktis garën publikisht, mbajtja e balotazhit vetëm sa për formë është mashtrim ndaj votuesve dhe cenim i demokracisë, pasi rezulton se kjo nuk është çështje parimi, por është e planifikuar edhe para 12 tetorit, vetëm e vetëm për të më dëmtuar mua, si përfaqësuesi i vetëm shqiptar, e cila është edhe shumicë në këtë komunë.
- Në këtë mënyrë, votuesit e Kllokotit de facto u gjendën përballë një “zgjedhjeje” të rreme, ku fleta e votimit përmbante dy emra, por vetëm njëri po kërkonte votën. Kjo situatë minon parimin e zgjedhjeve të lira dhe bie ndesh edhe me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Me fjalë të tjera, lejimi i një kandidati “kukull” vetëm sa për ta mbajtur procedurën, përbën shtrembërim të vullnetit të votuesve dhe një precedent tejet të rrezikshëm. Kjo është një padrejtësi serioze në kuptim të nenit 119.5 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që justifikon ndërhyrjen e PZAP për të rivendosur integritetin e procesit.
- Në lidhje me këtë, theksoj se barazia e votës nënkupton që çdo votues ka mundësi të barabartë për të ndikuar rezultatin dhe se zgjedhjet ofrojnë një zgjedhje të vërtetë midis opsioneve të ndryshme politike. Një situatë e tillë i ngjan sistemeve njëpartiake komuniste, e cila si e tillë bie ndesh me nenin 1 të Kushtetutës.
- Doktrina kushtetuese dhe zgjedhore e konsideron konkurrencën pluraliste si shtyllë të rendit demokratik. Për më tepër, barazia e votës, e garantuar nga neni 45 i Kushtetutës dhe parimet zgjedhore nënkupton se çdo votues gëzon kushte të barabarta për ta ushtruar të drejtën e tij. Në Kllokot, pasi kandidati opozitar u tërhoq, votuesit de facto kishin vetëm një opsion për Kryetar, duke krijuar pabarazi midis votuesve të kësaj komune dhe atyre të komunave të tjera. Kjo dëmton cilësinë e votës së tyre, sepse vota “kundër” apo për një alternativë tjetër nuk ekzistonte.
- Kandidimi i personit me funksion në struktura paralele:
- Është e qartë se, kandidimi i një personi që njëkohësisht mban pozitë si “kryetar” në strukturat paralele serbe shkel rëndë sovranitetin e Republikës së Kosovës. Ndërsa legjislacioni zgjedhor nuk e përmend shprehimisht këtë situatë, disa dispozita dhe parime relevante mund të ofrojnë bazë për veprim. Kushtetuta e Kosovës parashikon që askush nuk mund të ushtrojë funksione publike që nuk buron nga Kushtetuta ose ligji, pra struktura paralele nuk kanë bazë legjitime në Kosovë.
- Neni 4.7 i Kushtetutës konfirmon se vetëm institucionet kushtetuese të Kosovës garantojnë rendin kushtetues dhe funksionojnë brenda autoritetit të Republikës. Një person që pranon emërim nga autoritetet Serbe për të ushtruar funksione në Kosovë, sfidon drejtpërdrejt këto parime.
- Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person humb të drejtën për të qenë kandidat nëse nuk plotëson kriteret e përshtatshmërisë. Ndër pozitat e ndaluara ligjërisht për kandidim janë: funksionarë publikë me status të veçantë. Edhe pse “kryetar i komunës paralele” nuk figuron specifikisht në listë, duhet vlerësuar se një person i tillë nuk i përket strukturës kushtetuese të Republikës.
- Në analogji, një individ që pranon të emërohet në një organ paralel në Kosovë,
automatikisht bie ndesh me detyrimet ndaj çdo posti zyrtar në Kosovë. Në rastin konkret, kandidati Spasiq pas raundit të parë u emërua nga Serbia si “president i Organit të Përkohshëm” (kryetar paralel) i Komunës së Vitisë. Ky veprim demonstron besnikëri institucionale ndaj Serbisë dhe jo ndaj Kosovës, një konflikt interesi i thellë me pozitën e kryetarit të komunës brenda sistemit kushtetues të Kosovës.
- Në këtë drejtim, neni 119.6 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep PZAP një kompetencë të veçantë për raste ekstreme. Neni 119.5 përcakton se PZAP mund të shqyrtojë çështje edhe jashtë referimeve të zakonshme “kur kjo është rreptësisht e domosdoshme për të parandaluar padrejtësi serioze”.
- Një kandidaturë e cila minon rendin kushtetues duke i shërbyer strukturave paralele krijon një padrejtësi serioze ndaj votuesve dhe vetë sistemit demokratik. Votuesve të Kllokotit, në këtë rast, u kërkohet të zgjedhin një kryetar komune i cili njëkohësisht i shërben një strukture paralele ilegale, gjë që cenon parimin e besimit publik tek institucionet lokale dhe shteti i së drejtës. Edhe pse ligji nuk thotë shprehimisht “decertifiko kandidatin që mban post paralel nga Serbia”, PZAP mund të përdorë këtë nen për të marrë masa korrigjuese në emër të integritetit të procesit, pasi po rrezikohet drejtpërdrejtë rendi juridik.
- Përmbledhje dhe kërkesa:
- Si rezultat i sa më sipër, raundi i dytë i zgjedhjeve në Kllokot është zhvilluar në rrethana antikushtetuese dhe të paligjshme, pasi është lejuar në garë një person i cili vepron në dëm të Republikës së Kosovës dhe publikisht e ka bërë të qartë se emri i tij është vetëm në letër, por jo në garë. Kjo ka deformuar vullnetin e zgjedhësve dhe më ka vendosur në një dizavantazh të padrejtë.
- Po të respektohej Kushtetuta dhe ligji, Spasić s’duhej të ishte fare i lejuar në balotazh, dhe në vend të tij në raundin e dytë do të duhej të konkurronte kandidati pasues, që jam unë. Lejimi i Spasić jo vetëm që më ka mohuar mundësinë legjitime për të garuar në balotazh, por gjithashtu ka vënë në dyshim legjitimitetin e të gjithë procesit zgjedhor në këtë komunë. Për më tepër, ekzistenca e parregullsive të dokumentuara, siç ishte votimi me asistencë i mundësuar nga certifikata mjekësore të lëshuara ilegalisht nga struktura paralel, e bënë të qartë se edhe rezultati i raundit të parë mund të jetë ndikuar në mënyrë të kundërligjshme.
- Në bazë të fakteve të parashtruara më lart, me respekt kërkoj nga PZAP që:
- TË APROVOJ ankesën si të bazuar;
- TË DECERTIFIKOJË kandidatin Srećko Spasić respektivisht të konstatojë papranueshmërinë ligjore të kandidaturës së tij dhe t’i heqë atij certifikimin si kandidat për Kryetar Komune në Kllokot, me efekt prapaveprues;
III. TË SHPALLË TË PAVLEFSHËM raundin e dytë të zgjedhjeve në Komunën Kllokot që është mbajtur me pjesëmarrjen e kundërligjshme të Spasić dhe të urdhërojë përsëritjen e raundit të dytë për Kryetar Komune në Kllokot. Përsëritja e votimit të balotazhit të bëhet pa kandidatin e decertifikuar Srecko Spasic, pra vetëm me dy kandidatët legjitimë më të votuar: Arbër Emini dhe Bozidar Dejanovic;
Kllokot, 10 nëntor 2025
Arbër Emini, kandidat për kryetar komune të Kllokotit

BE pezullon të gjitha pagesat financiare për Serbinë
Qeveria ndan 45 mijë euro për Forumin Ekonomik të Vjenës
Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 7 qershor
Bllokim i donacioneve nga Kosova, Kamberi: Bankat po bëhen instrument i diskriminimit ndaj shqiptarëve
Rexhepi:Serbia bllokon fondet e Kosovës, nxënësit e Luginës mbesin pa libra
Milanoviq: Pretendime të pakuptimta se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten të sulmojnë Serbinë
Haxhiu: E mirëpres prezantimin e rezolutës në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO
Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë
36 vjet nga pajtimi i gjaqeve te Verrat e Llukës