Rome, 24 Korrik 2025
Barbara de Dozsa kishte argumentuar pronësinë, sepse vepra e artistit italian Solario ishte blerë me mirëbesim. Ajo kishte refuzuar ta kthente pikturën, ani pse ndodhej në listat më të kërkuara të forcave të ndryshme policore, përfshirë Interpolin dhe Karabinierët italianë
Piktura e shekullit XVI “Madonna and Child”, e cila përfundoi në pronësi të një gruaje në Norfolk pasi u vodh nga një muze në Itali gjysmë shekulli më parë, do t’i kthehet pronarit të saj të ligjshëm. Pas viteve të ndërgjegjësimit dhe bindjes nga një avokat i artit, Barbara de Dozsa vendosi ta dorëzojë atë në Muzeun e Qytetit të Bellunos, ku piktura u pa për herë të fundit në vitin 1973.
Siç raportoi “The Guardian” në mars të këtij viti, de Dozsa kishte refuzuar ta kthente veprën artistike ani pse ndodhej në listat më të kërkuara të forcave të ndryshme policore, përfshirë Interpolin dhe Karabinierët italianë.
Ajo kishte pretenduar pronësinë, pjesërisht sepse ish-bashkëshorti i saj, baroni i ndjerë De Dozsa, e kishte blerë atë në mirëbesim në vitin 1973, menjëherë pas grabitjes.
Piktura ishte realizuar nga artisti italian, Antonio Solario, i njohur si Lo Zingaro (Cigani), disa nga veprat e të cilit ndodhen në Galerinë Kombëtare në Londër. Ajo ishte blerë nga muzeu “Belluno” në vitin 1872 dhe ishte midis disa veprave që u vodhën një shekull më pas. Disa prej tyre u gjetën shpejt në Austri, ku burri i De Dozsas e bleu pikturën e Solarios nga një person i paidentifikuar.
Vendndodhja e saj mbeti e panjohur deri në vitin 2017 kur De Dozsa u përpoq ta shiste përmes një shtëpie ankandi rajonale, dhe u vu re nga dikush i lidhur me muzeun e Bellunos.
Piktura iu kthye përkohësisht De Dozsas në vitin 2020, pasi vonesat e shkaktuara nga izolimi për shkak të COVID-it bënë që autoritetet italiane të mos arrinin të siguronin dokumentet përkatëse të kërkuara nga policia britanike.
Gjatë viteve, Christopher Marinello, një avokat i specializuar për artin e vjedhur, ishte përpjekur vazhdimisht ta bindte atë të “bënte gjënë e duhur” dhe ta kthente pikturën në Belluno. Ai e menaxhoi procesin e rikuperimit në mënyrë vullnetare sepse donte të ndihmonte qytetin në rajonin e Venetos në Italinë veriore, nga ku kishte origjinën familja e tij.
De Dozsa në fillim citoi Ligjin e Kufizimeve të Mbretërisë së Bashkuar të vitit 1980, i cili thotë se një person që blen mallra të vjedhura mund të njihet si pronar ligjor, nëse blerja nuk ka lidhje me vjedhjen dhe kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet prej kur është kryer blerja.
Marinello e hodhi poshtë këtë argument duke e cilësuar si “absurditet”.
“Edhe pse Ligji i Kufizimeve i Mbretërisë së Bashkuar mbështeste qëndrimin e saj, fakti që piktura ishte e listuar në bazat e të dhënave të artit të vjedhur të Interpolit dhe Karabinierëve, nënkuptonte se ajo nuk mund të shitej, ekspozohej apo transportohej pa rrezikuar sekuestrimin”, ka thënë ai.
Marinello është themelues i organizatës “Art Recovery International”, që fokusohet në artin e vjedhur ose të plaçkitur dhe ka zyra në Londër, Venecia dhe New York. Rikuperimet e tij të mëparshme përfshijnë një pikturë të Matisseit që ishte vjedhur në vitin 1987 nga Muzeu i Artit Modern në Stokholm, dhe ishte zhdukur pa gjurmë për 25 vjet derisa u rishfaq në Londër.
De Dozsa përfundimisht pranoi ta dorëzonte pikturën pa kushte në Belluno.
“Ajo më ka rikthyer besimin te njerëzimi në një kohë kur kaq shumë posedues të veprave të vjedhura të artit përpiqen të mos i dorëzojnë ato. Pavarësisht të drejtave të viktimës, njerëzit nuk kanë më ndjeshmëri – dhe ajo e tregoi të kundërtën”, ka thënë avokati.
Duke bërë shaka, Marinello tha: “Kur bëhet fjalë për kthimin e artit të vjedhur dhe për të bërë gjënë e duhur, mund të jem bezdisës dhe jashtëzakonisht këmbëngulës. Por në fund të fundit, ishte vendimi i Barbara de Dozsas dhe ajo bëri zgjedhjen e duhur”.
Ai falënderoi “Arte Generali”, kompaninë e sigurimeve të artit që e bëri të mundur rigjetjen e pikturës me një donacion për të mbuluar kostot logjistike, megjithëse nuk kishte lidhje direkte me këtë rast.
“Pa mbështetjen e tyre, ky kthim nuk do të kishte ndodhur kurrë”, ka thënë në fund, Marinello.
Një tjetër pikturë “Madonna and Child”, nga artisti italian i shekullit të 19-të, Placido Fabris, është midis veprave të tjera të vjedhura nga muzeu Belluno, që ende mungojnë. Ato janë të listuara në bazën e të dhënave të artit të vjedhur të Karabinierëve.
Marinello i bën thirrje publikut ta kontaktojë nëse i vërejnë ato në koleksione private apo publike:
“Piktura e artistit Solario arriti deri në Britani të Madhe – pse jo edhe këto?”, ka thënë ai.
Oscar De Pellegrin, kryetari i bashkisë së Bellunos, tha: “Kthimi i kësaj pikture në qytet do të thotë t’i japësh një fragment të identitetit, historisë dhe shpirtit të tij”.
Barbara de Dozsa nuk pranoi të prononcohet për “The Guardian”.

Libri i poetit të njohur Agim Vinca do të promovohet në Mal të Zi
Korab Blakaj boton librin “Shqiptari përballë rrënimit”, një analizë e thellë mbi krizën shqiptare
Kosova në Bienalen e Venecias me “Hard Teeth”
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës mbajti koncert me program të pasur
Baleti Kombëtar i Kosovës me “Carmina Burana” në Kolumbi
Kurti me mëngjes i jep përkrahje filmit: Sukses historik, “Dua” përfaqëson Kosovën në Kanë!
Mesi i muajit maj mund të sjell vendimin final për ish-krerët e UÇK-së
Haxhiu takon nesër partitë politike për datën e zgjedhjeve
Dogana e Kosovës konfiskon mbi 122 mijë euro në veturën që e drejtonte shtetasi rumun
Zgjedhjet e reja, Haxhiu pret në një takim kryetarin e KQZ-së