Prishtinë 16 Maj 2026 9:07
Filmi kosovar “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, ka pasur premierën në Festivaline Filmit në Kanë, duke sjellë para publikut ndërkombëtar një histori thellësisht personale, të frymëzuar nga vetë jeta e regjisores.
Ngjarja zhvillohet në fundin e viteve të ’90-ta në Prishtinë, ku protagonistja kryesore e cila është 13-vjeçare, Dua rritet në kohën kur Kosova është nën okupim dhe tensione të vazhdueshme. Teksa përballet me dhunën e përditshme dhe mundësinë për t’u larguar nga vendi, Dua duhet të mësojë si ta mbrojë veten fizikisht dhe emocionalisht nga sfidat e pandërprera që i dalin përpara.
Në një intervistë për “La Semaine de la Critique”, Basholli ka rrëfyer se ideja për filmin “Dua” kishte lindur shumë kohë para suksesit të filmit “Hive”, por nuk kishte pasur guximin ta realizonte si projektin e saj të parë artistik.
“Është shumë personal. Bazohet në jetën time. Ndoshta nuk e kisha guximin ta bëja filmin tim të parë, por kjo histori ka jetuar gjithmonë me mua”, është shprehur ajo.
Regjisorja ka treguar se pas përfundimit të filmit “Hive”, nisi menjëherë punën për skenarin e filmit “Dua”, duke e përshkruar procesin si emocionalisht sfidues, pasi rikthente kujtime dhe periudha të ndjeshme nga jeta e saj.
Sipas saj, fokusi kryesor i filmit mbetet përjetimi njerëzor dhe perspektiva e personazhit, më shumë sesa shpjegimet politike apo historike.
“Kjo është gjithmonë sfida më e madhe, sidomos kur vjen nga një vend i vogël, sepse jo shumë njerëz e dinë çfarë ka ndodhur këtu. Është e vështirë të shpjegosh dallimet mes etnive, kush është kush dhe çfarë po ndodh. Edhe te ‘Hive’ u përpoqa të bëj të njëjtën gjë: ta fokusoj historinë tek personi, tek karakteri. Në këtë mënyrë, publiku lidhet nga njeriu te njeriu, nga humanja te humanja. Pastaj mund të ketë detaje historike apo politike që ndoshta nuk i kupton plotësisht, por kur ndjek personazhin, identifikohesh me të dhe përjeton betejat e tij, i harron ato detaje të vogla, të cilat mund t’i kuptosh më vonë. Dua që publiku ta ndjejë personazhin, të jetë në lëkurën e tij. Edhe kur ndodhin gjëra të mëdha, dua që gjithçka të shihet përmes emocioneve të karakterit”, ka thënë Basholli.
Ajo ka folur edhe për mënyrën e xhirimit të filmit, duke theksuar se bashkë me drejtoren e fotografisë kanë zgjedhur plane të gjata dhe kamera që qëndron afër personazhit kryesor, në mënyrë që publiku të përjetojë ngjarjet bashkë me të.
Gjatë intervistës ajo foli edhe për procesin e përzgjedhjes së aktores për rolin kryesor në film, të cilin e interpreton Pinea Matoshi, vajza e aktores sonë të njohur Adriana Matoshi. Basholli ka treguar se protagonistja ishte fillimisht hezituese për të marrë pjesë në film, por intuita e saj si regjisore e bindi se ajo ishte zgjedhja e duhur.
“Nuk ishte e mirë në audicion. Ndoshta sepse nuk donte të ishte aty, dukej sikur as nuk po përpiqej. Megjithatë, më pëlqeu diçka tek ajo – zëri, mënyra si i thoshte fjalitë, fytyra, qëndrimi. Prandaj e thirra përsëri. Edhe herën e dytë nuk donte të vinte, por erdhi. Pastaj bëmë një improvizim me motrën e saj, që është aktore. Kur e lamë të ishte natyrale, ishte shumë e mirë. Atëherë mendova: ‘Duhet të jetë ajo’. Ngadalë arrita ta bind. U njoh me ekipin dhe ishte e mrekullueshme për të punuar. Jam shumë e lumtur që ndoqa intuitën time, edhe pse dy audicionet e para nuk dukeshin premtuese”, është shprehur Basholli.
Në film, muzika zë një vend të rëndësishëm, pasi sipas Bashollit, ajo pasqyron realitetin e brezit që u rrit në Kosovë gjatë viteve të vështira.
“Muzika ishte pjesë e jetës sonë në atë kohë – rock-u dhe repi underground po lulëzonin. U rrita me të. Jam fëmija më i vogël në familje, kështu që dëgjoja jazz dhe rock të vjetër të viteve ’70 nga vëllai im. Motra ime më e madhe dëgjonte Céline Dion dhe muzikë të bukur të vjetër shqiptare. Motra tjetër dëgjonte Skunk Anansie, Alanis Morissette dhe gjëra të ngjashme. Ndërsa unë isha më shumë tek Skunk Anansie dhe rock-u më i fortë”, ka theksuar Basholli.
Ajo tha se ishte rritur duke dëgjuar shumë lloje muzike dhe donte ta pasqyronte këtë në film.
“Edhe njerëzit e brezit tim që e shohin filmin, reagojnë vazhdimisht: ‘O Zot, pikërisht kështu kemi jetuar’. Ne përpiqeshim të festonim, të jetonim si adoleshentë normalë, edhe pse nuk kishim koncerte apo gjëra të tilla. MTV ishte gjithmonë ndezur në ekranet tona dhe kishte ndikim të madh në jetën tonë. Doja ta tregoja këtë, por njëkohësisht mendoj se njerëzit jashtë Kosovës, kur dëgjojnë se dikush nga një vend kaq i vogël, që ka kaluar krizë për një kohë të gjatë, ka dëgjuar të njëjtën muzikë si ata, e kuptojnë se në fund jemi njerëz të njëjtë. Dhe kjo është mënyra më e mirë për ta bërë këtë – përmes muzikës dhe artit, shtoi ajo.
Ajo ka thënë se përfshirja e muzikës në film ishte shumë e rëndësishme. “M’u desh të këmbëngulja, sepse kushton shumë të përdorësh këto këngë në film. Por jam e lumtur që mora mbështetjen dhe që ato janë pjesë e filmit, sepse njerëzit po reagojnë shumë: ‘Kjo është kënga që kam dëgjuar’ apo ‘kjo është kënga me të cilën jam dashuruar’. Dhe kjo është shumë interesante”, ka deklaruar tutje Basholli.

Mbi 1.1 milion euro investim për restaurimin e Teatrit “Adriana” në Ferizaj
Alis kualifikon Shqipërinë në Finalen e Madhe të Eurovizion 2026
Kosova në festivalin e Cannes prezantohet me filmin “Dua” të Blerta Bashollit
3 mijë tituj librash të vjetër e të rrallë ekspozohen në Prishtinë
Zëri i saj” ndjek hapat e Nexhmije Pagarushës si kujtesë e trashëgimi
Hapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias
KQZ sot tërheq shortin për renditjen e partive në fletëvotim
Ukshin Hoti, 27 vjet pa gjurmë
Basholli për filmin `Dua`: Histori personale nga Kosova e viteve të 90-ta
Kurti: Diaspora po kalon nga remitencat te investimet