????????????????????????????????????
Prishtinë, 08 dhjetor 2025 10:27
Në kulmin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, në tetor të vitit 2025, Beogradi zyrtar publikoi atë që e quajti konkurs për 400 vende pune në institucionet shëndetësore në territorin e Kosovës — një lëvizje e cila që nga dita e parë u pa gjerësisht si përpjekje e hapur për ndikim politik mbi komunitetin serb në vend.
Njoftimi i konkursit nuk u publikua fillimisht në asnjë kanal zyrtar. Ai u shpall publikisht vetëm pasi Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e përmendi gjatë një paraqitjeje televizive, duke ngritur menjëherë dyshimet se qëllimi ishte më shumë politik sesa profesional. Vetë fakti se një konkurs “shtetëror” për punësime në Kosovë lajmërohet nga tribuna politike, e jo nga Ministria e Shëndetësisë, u pa nga shumë analistë si konfirmim i instrumentalizimit të procesit.
Dyshime për manipulim, afate të paqarta dhe mungesë transparence
Reagimet nuk vonuan: një pjesë e serbëve të papunë panë në këtë konkurs një shans të ri punësimi, por nga ana tjetër, institucionet e Kosovës, opozita serbe në vend dhe pjesë të komunitetit ndërkombëtar e denoncuan procesin si manovër tipike zgjedhore.
Konkursi u shoqërua me afate të shkurtra aplikimi, të cilat më pas u shtynë disa herë — një praktikë që shtoi bindjen se selektimi i kandidatëve po zhvillohej përmes kanaleve të mbyllura dhe jo sipas kritereve profesionale. Deri në fund të tetorit, numri i të interesuarve kaloi mbi 2,000 aplikime, ndërsa qindra të tjerë nuk arritën të konkurrojnë për shkak të afateve të pamundura për kompletimin e dokumenteve.
Megjithëse procesi u shty zyrtarisht deri më 15 janar, aplikimet e reja nuk pranohen. Një tjetër detaj që ngre pikëpyetje është se kontratat e punës, sipas dokumentacionit, parashiheshin të zgjasin vetëm deri në shkurt të vitit 2026 — pra rreth tre muaj. Një periudhë aq e shkurtër, që për ekspertët e administratës publike nuk justifikohet as teknikisht e as financiarisht, por në kontekst elektoral merr një kuptim krejt tjetër.
Brenda konkursit: “Në intervistë nuk të pyesin asgjë për punën”
Portali “Veritasinfo” bisedoi me një nga kandidatët e paraqitur, i cili pranoi të fliste vetëm nëse ruhej anonimati i tij. Ai përshkruan një proces që, sipas tij, imiton një konkurs publik vetëm në letër.
“As nuk kam dashur të paraqitem, sepse e di që nëse nuk ke lidhje, nuk ke gjasa të punësohesh. Më thirrën në intervistë, por aty nuk të pyesin asnjë gjë që lidhet me punën. Në komision ishin Eleku, Miloviqi dhe një grua që nuk e kam parë kurrë. Para tyre nuk kishte dokumente, vetëm një listë me emra dhe numra telefoni. Të gjithë më thonë se pa Milan Radoiçiqin ose Igor Simiqin nuk bën. Më së miri me Milanin. Nuk pres asgjë.”
Dëshmia e tij ngre alarmin mbi kapjen politike të procesit dhe futurimin e ndikimit të strukturave të njohura për kontrollin e jetës politike e institucionale të serbëve në Kosovë. Sipas tij, konkursi funksionon më shumë si mekanizëm lojaliteti sesa si proces punësimi.
Çfarë ligjshmërie dhe financimi qëndron pas punësimeve?
Një ndër pyetjet kyçe lidhet me bazën juridike: nën cilin kornizë ligjore Serbia punëson punëtorë “në Kosovë”, kur institucionet shëndetësore që ajo financon trajtohen nga Prishtina si struktura paralele, të jashtëligjshme?
Po ashtu mbetet i paqartë mekanizmi i integrimit të stafit të ri në terren, si dhe burimi i financimit të pagave. Asnjë dokument publik nuk sqaron se si do të funksionojë ky sistem i dyfishtë, i cili në praktikë ka sjellë konfuzion institucional dhe tensione të vazhdueshme.
Një konkurs që rrezikon të kthehet në instrument elektoral
Duke qenë se kriteret e përzgjedhjes nuk janë bërë publike, komisionet nuk janë sqaruar dhe nuk ekziston asnjë garanci se vendimet do të jenë profesionale, hapet rruga për keqpërdorime të shumta, nga patronazhi politik te nepotizmi.
Në këtë formë, konkursi i Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë rrezikon të kthehet në një nga instrumentet më të qarta të ndërhyrjes së Beogradit në proceset zgjedhore të Kosovës — përmes joshjes së votuesve serbë me premtime për vende pune, qoftë edhe afatshkurtra, qoftë edhe të kontrolluara nga struktura politike e parapolitike.
Kostoja, si zakonisht, pritet të bjerë mbi qytetarët: pacientët që do të vazhdojnë të përballen me një sistem të politizuar, dhe komunitetin serb, i cili edhe një herë përfshihet në një lojë politike të Beogradit, ku punësimi përdoret si mjet presioni dhe varësie.
Në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, konkursi nuk po shihet si hapësirë e re punësimi, por si një shembull i qartë i instrumentalizimit politik nga ana e Serbisë në prag të zgjedhjeve të Kosovës.

Mandati i KQZ-së në përfundim, disa parti ende pa propozime
KQZ e pezullon AKR-në për shkak te mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afatit
KQZ për zgjedhjet e reja: Do të veprojmë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor
KQZ miraton rekomandimet për reformë zgjedhore, kërkohen edhe ndryshime ligjore
Supremja thotë se i ka shqyrtuar të gjitha ankesat kundër vendimeve të PZAP-së
Intervistohen 14 persona në Kllokot për dyshim për falsifikim të votave
Komandanti i KFOR-it: Që nga tetori 2025, situata në Kosovë është përgjithësisht e qetë
“Ky është më shumë se një meç, do të luftoj për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, Prenga me fjalë të mëdha para meçit jetik me Joshuan
Vitin e shkuar u ngritën 15 aktakuza për krime lufte, 10 prej tyre në mungesë
Milanoviq: Pretendime të pakuptimta se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten të sulmojnë Serbinë