Prishtinë, 26 mars 2026 07:26
Arben Fetoshi, drejtor i Institutit OCTOPUS, ka kujtuar masakrat në Fortesë (ish-Bellacerkë), Celinë, Brestoc dhe Krushë, duke i cilësuar ato si dëshmi të qarta të një gjenocidi të mohuar nga Serbia dhe si pjesë të një strategjie të organizuar shtetërore të krimit, fshehjes dhe mohimit.
Në shkrimin e tij, Fetoshi rikujton se më 24 mars 1999, rreth orës 19:45, nisi një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë moderne evropiane – ndërhyrja e NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë. Ai thekson se kjo ndërhyrje erdhi pas një konsensusi të vështirë ndërkombëtar, përballë një regjimi që, sipas tij, ushtronte dhunë sistematike ndaj civilëve shqiptarë.
Sipas Fetoshit, edhe 27 vjet më pas, përballja me të vërtetën historike mbetet sfiduese për shkak të narrativave të përmbysura nga Serbia, të cilat e paraqesin këtë të fundit si viktimë, ndërsa ndërhyrjen e NATO-s si agresion. Ai përmend se fuqitë perëndimore kishin qenë të informuara për planin e spastrimit etnik të njohur si “Patkoi”, i cili, sipas tij, synonte dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova.
Duke iu referuar të dhënave të luftës, Fetoshi thekson se rreth një milion shqiptarë u dëbuan me forcë, mbi 13 mijë u vranë dhe rreth 20 mijë gra u dhunuan, ndërsa qindra vendbanime dhe monumente u shkatërruan, duke e përforcuar, sipas tij, natyrën gjenocidale të fushatës.
Në pjesën qendrore të shkrimit, Fetoshi i lindur në Fortesë dhe ish-ushtar i UÇK-së, përshkruan në detaje zbatimin e këtij plani në terren. Sipas tij, në orët e para të mëngjesit, forcat serbe hynë në Bellacerkë (Fortesë), duke rrethuar fshatin dhe duke hapur zjarr për të frikësuar dhe dëbuar banorët. Më pas, sipas dëshmive të të mbijetuarve, ndodhën plaçkitje, keqtrajtime dhe në fund ekzekutime të civilëve.
Ai përmend se në këtë masakër u vranë 69 civilë, përfshirë fëmijë, ndërsa autorët e dyshuar identifikohen nga dëshmitarët, por nuk janë dënuar ende. Sipas Fetoshit, skenari i njëjtë vazhdoi edhe në Celinë, ku u vranë 75 civilë, si dhe në Brestoc, ku u masakruan 45 persona.
Më tej, ai përshkruan ngjarjet në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, ku pas granatimeve dhe rrethimeve, forcat serbe ndanë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe djemtë. Sipas tij, burrat u grumbulluan në lokacione të ndryshme, u rrahën dhe më pas u ekzekutuan, ndërsa trupat e tyre u dogjën ose u hodhën në lumë për të zhdukur gjurmët e krimit.
Në Krushë të Madhe, Fetoshi thekson se u vranë 241 persona, me dhjetëra të zhdukur ende, ndërsa në Krushë të Vogël u vranë 113 burra dhe djem, duke e lënë fshatin, sipas tij, “të grave në të zeza”.
Në analizën e tij, Fetoshi argumenton se krimet nuk përfundojnë me aktet e dhunës fizike, por vazhdojnë përmes mohimit dhe mungesës së drejtësisë. Ai kritikon shtetin serb për, siç thotë, mungesë reflektimi dhe pendese, duke theksuar se narrativa zyrtare vazhdon të minimizojë ose mohojë krimet.
Ai përmend edhe përdorimin e strategjisë DARVO (Deny, Attack, Reverse Victim and Offender), përmes së cilës, sipas tij, Serbia përpiqet të shmangë përgjegjësinë duke e paraqitur veten si viktimë dhe duke fajësuar faktorët ndërkombëtarë.
Fetoshi përfundon se, pavarësisht përpjekjeve për ta shtrembëruar historinë dhe për të nxitur harresën, vendet si Fortesa, Celina, Brestoci dhe Krusha mbeten dëshmi të gjalla të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

AME: Situata pas reshjeve në Kosovë është stabile, uji është në rënie në zonat e prekura
Dëshmitari në rastin “Ibër-Lepenci”: 20 nga 24 mostrat përputheshin me ADN-në e të akuzuarit Viqentijeviq
Punimet në Parkun Industrial në Frashër avancojnë, shtohet interesi i bizneseve për investime
Aktakuzë ndaj 57-vjeçarit që qëlloi me kallashnikov drejt autobusit në Malishevë
Murati nënshkruan marrëveshje 60 milionë euro me Agjencinë Franceze për Zhvillim për projektin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”
Shtyhet aktgjykimi ndaj Milorad Gjokoviqit
Shqipëria i përgjigjet Vuçiqit: Retorika nacionaliste s’mund ta tërheqë zvarrë rajonin
Kamberi: Propozim për rezolutë që trajton krimet e luftës në Kosovë